Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka kërkuar Gjykatës Themelore që t’ua caktojë masën e paraburgimit F.L. dhe A.L., të dyshuar për sulmin ndaj zyrtarëve policorë në Skenderaj. Në komunikatë thuhet të hënën se të dyshuarit F.L, A.L. dhe N.L., më 2 korrik, rreth orës 23:45, i kanë sulmuar zyrtarët policorë E.B. dhe M.G.
Njëri prej policëve është goditur me predhë të armës në këmbë.
Njëherit, pas grumbullimit të provave të mjaftueshme për këtë rast, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka lëshuar vendimin për ndalim për të dyshuarin N.L., por i njëjti ende nuk është hasur nga policia dhe është në kërkim. Posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të veprave të lartcekura penale”, thuhet në komunikatë