Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq ka deklaruar se nuk i ndan të njëjtat pikëpamje me Serbinë për çështjen e Kosovës, raportoi media serbe “B92”.
Në një vizitë të zhvilluar të hënën në Serbi, ku u prit nga homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, Milatoviqi ka thënë se kjo vërehet me njohjen e Kosovës shtet në vitin 2008.
Ai ka theksuar se nevojitet shtensionim i situatës në veri të Kosovës, teksa ka shtuar se Mali i Zi e mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Është shumë e rëndësishme që nga adresat më të mëdha shtetërore të fokusohemi në tema që na bashkojnë. Ka edhe nga ato ku nuk kemi të njëjtat pikëpamje, sigurisht që çështja e Kosovës është një nga ato. Ju e dini që Mali i Zi e ka njohur Kosovën në vitin 2008. Ajo që është e rëndësishme për mua është që tensionet në veri të Kosovës të vihen nën kontroll dhe të ndodhë depërshkallëzimi. Ne e mbështesim sinqerisht dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Milatoviqi.
Kjo është vizita e parë e një presidenti malazias në Serbi në këto shtatë vjetët e fundit.