Presidenti i Çekisë përfundon në terapi intensive pas zgjedhjeve parlamentare

Menjëherë pas takimit të mbajtur me kryeministrin në detyrë Andrej Babis, pas zgjedhjeve të së shtunës, të cilat nxorën fituese koalicionin opozitar, Presidenti i Çekisë, Milosh Zeman, është dërguar me ambulancë në spitalin ushtarak të Pragës ku ka përfunduar në terapi intensive.

Në një deklaratë të shkurtër për mediat, mjeku i presidentit Miroslav Zavoral, tha se 77-vjeçari Zeman pati një përkeqësim të gjendjes së tij shëndetësore si pasojë e sëmundjeve që vuan prej kohësh.

Zeman votoi nga shtëpia e tij për zgjedhjet parlamentare për shkak të gjendjes shëndetësore. Disa media çeke shkruan se ai vuan nga një sëmundje e rëndë e mëlçisë. Ai vuan nga diabeti dhe në javët e fundit ka përdorur karrocë për të lëvizur.

Rezultatet e votimeve të së shtunës nxorën fitues koalicionin e formuar nga opozita “Bashkimi” ndaj partisë ANO të kryeministrit Andrej Babis, i goditur së fundmi dhe nga skandali i “Pandora Papers”. Kryeministri Babis u përball me një sërë akuzash në muajt e fundit për mënyrën sesi e përballoi pandeminë dhe rritjen e shpejtë të borxhit kombëtar.