Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, u është përgjigjur sot pyetjeve të gazetarëve rreth forcës ushtarake të Kroacisë dhe situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Situata gjithsesi është e komplikuar në rajon. Kemi Beogradin, një pushtet i cili flet marrëzira për botën serbe. Them qëllimisht Beogradi e jo serbët sepse ka serbë edhe jashtë Serbisë”, ka thënë ai.
Ai si shembull se si Serbia dëshiron ta bëj “botën serbe” ka përmendur edhe qytetin e Suboticës në Vojvodinë ku para më shumë se 100 vitesh gjysma e popullatës kanë qenë me kombësi kroate.
“A është Subotica ‘botë kroate’ ku në vitin 1900 kanë jetuar më shumë kroatë sesa në Split? Natyrisht se nuk është”, ka thënë Milanoviq.
Milanoviq ka shtuar se edhe në Mal të Zi ka një pjesë të qeverisë e cila në mënyrë direkte i përgjigjet Beogradit, edhe pse është vend anëtar i NATO-s. Sipas tij, nuk mund të krahasohet Mali i Zi me Bosnjën, sepse në Mal të Zi ka njerëz që nuk e duan ekzistimin e shtetit të vetë ndërsa në Bosnjë, kroatët kanë votuar për pavarësinë e Bosnje & Hercegovinës.
“Situata në Kosovë nuk na rrezikon, por po e përcjellim. Është e vështirë që të dyja palët të avancojnë në integrimet evropiane me ato qëndrime dhe kjo vlen për Serbinë. Kosova nuk është e njohur nga e gjithë BE-ja dhe kjo është e vështirë. Dhe vështirë që do të ndryshojë. Kjo është një pengesë që e shohim për shumë vite. Unë mund të ftoj për de-skalim. Kështu bën diplomacia evropiane dhe nuk bën asgjë. Çka është de-eskalimi. Kosova është përgjigjur me masa reciproke për diçka që Serbia bën për 10 vite. Nëse nuk mund të kaloni në Serbi me targa të Kosovës atëherë Kosova vendos që e njëjta të vlejë edhe për vetura nga Serbia. Kush po eskalon këtu? Ndoshta Kosova, siç do të thonin në Serbi ‘me kokëfortësi’. Cila është alternativa? Të mbulojnë veshët, të heshtin dhe të bëhen kinse asgjë nuk ka ndodhur? Thonë në një vend fqinjë: “Ujku ka të drejtë në delen e tij ndërsa tirani në njeriun e dobët”. Por poenta është që të rezistosh”, vijoi presidenti kroat.
“Kroacia mund të jetë më e qetë se kurdoherë. Shteti kroat ka pushtetin dhe territorin e vet nga Pevllaka deri në Gjirin e Piranit. Duhet ta mbajmë buxhetin për ushtri dhe kjo kushton. Armatimi nuk është vetëm për ta treguar por, Zoti mos e dhashtë, edhe për ta përdorur”, ka thënë ai kur u pyet për sigurinë e Kroacisë.
Ditëve të fundit ka pasur ofendime nga liderët e Serbisë drejtuar presidentit Milanoviq. Ministri i Brendshëm serb, Aleksander Vulin e quajti presidentin kroat “të marrë” dhe “ustash të fshehur”. Megjithatë, Milanoviqit nuk i kanë bërë përshtypje fyerjet e tilla.