Presidenti kroat propozoi në samitin e NATO-s që Kosova të pranohet

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, në samitin e të enjtes të NATO-s të mbajtur në Bruksel, ka propozuar që Kosova të integrohet në këtë aleancë, e të bëhet më në fund shtet i plotë.

Milanoviq këtë e ka thënë në deklaratat e tij pas samitit, raporton “Index.hr”.

“Katër shtete të NATO-s ende nuk e njohin Kosovën. Unë propozova që Kosova të integrohet dhe më në fund të bëhet një shtet i plotë”, tha Milanoviq.

Milanoviq ka thënë se në samit është përmendur rajoni dhe rreziqet e mundshme nga destabilizimi si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë. Por, ai ka shtuar se nuk është përmendur në këtë mes edhe Serbia e Kosova.

“Regjioni është përmendur, Bosnja-Hercegovina si shtet që pretendohet se është i rrezikuar, Moldavia, Gjeorgjia, por Serbia e Kosova nuk u përmendën”, tha Milanoviq.

I pyetur nga gazetarët nëse është thënë ndonjë gjë më e detajuar për Bosnjë-Hercegovinën, Milanoviq, duke marrë parasysh presionin rus ndaj këtij shteti, ka thënë: “Çfarë Serbia, nuk është nën presion rus? Nëse e do atë presion, atëherë le të jetë mbi ta. E Bosnjë-Hercegovina duhet që të rregullojë veten nga brenda pasi nuk ka zë unanim në këtë çështje”, tha Milanoviq.

Milanoviq tha se Serbia nuk po e kupton se është fusnotë e Rusisë.

“Serbia nuk është një shtet i krahut lindor, në fakt është në Evropën Qendrore. Ka zgjedhjet brenda pak ditëve dhe kam përshtypjen se ka qenë në krizë identiteti për një kohë të gjatë. Serbia nuk po e kupton se është fusnotë e Rusisë”, tha ai.