Ndërsa lufta Rusi-Ukrainë ka hyrë në ditën e shtatë të sulmeve ruse, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë këtë mëngjes se beson se pothuajse 6,000 trupa ruse janë vrarë nga ushtria ukrainase në gjashtë ditët e para të luftës.
Megjithatë, Rusia nuk ka konfirmuar ende humbjen e ushtarëve rusë.
Në vijim të njoftimit, presidenti ukrainas këmbënguli se Rusia nuk mund ta fitojë këtë luftë me “bomba, goditje dhe raketa”, të cilat kanë sulmuar qytetet e Ukrainës ditët e fundit, shkruan Skynews.
Ministria britanike e Mbrojtjes publikon raportin e fundit të inteligjencës për situatën në Ukrainë
Ministria britanike e Mbrojtjes ka publikuar sot raportin e saj të fundit të inteligjencës për situatën në Ukrainë.
Në raport thuhet se ndërsa forcat ruse janë zhvendosur në qendër të Khersonit në jug të vendit, avancimet e ushtrisë në përgjithësi janë limituar për shkak të problemeve të vazhdueshme logjistike dhe rezistencës së fortë ukrainase, shkruan The Guardian, përcjell Express.
Sulmet e rënda të artilerisë ruse dhe ajrore kanë vazhduar të godasin zonat e ndërtuara, të fokusuara në qytetet Kharkiv, Kiev, Mariupol dhe Chernihiv, në 24 orët e fundit, thuhet në deklaratë.
Në përditësim thuhet se numri i civilëve të larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftës është rreth 660,000.