Presidentja zvicerane: Zvicra nuk mund të paramendohet pa kosovarët

Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, pasi falënderoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, që ka pranuar ftesën për vizitën shtetërore, vlerësoi lart lidhjen e vendit të saj me Kosovën.

“Kosova është një vend i ri, më i riu në kontinentin evropian, por kontaktet që na lidhin kanë një të kaluar të gjatë. Që në vitet 1960 kosovarët erdhën në Zvicër, më vonë edhe shumë refugjatë gjetën një shtëpi të re tek ne”, tha Keller-Sutter.

Presidentja e Zvicrës vlerësoi lart shoqërinë kosovare që tanimë është integruar në këtë shtet dhe sipas saj, Zvicra nuk mund të paramendohet pa kosovarët.“Sot Zvicra nuk mund të paramendohet pa njerëzit me prejardhje nga Kosova. 160 mijë deri në 250 mijë, varësisht se si i numëroni, ata kanë luajtur një rol të rëndësishme në formësimin e vendit tonë”, tha presidentja zvicerane.

Presidentja Karin Keller-Sutter në këtë konferencë bëri të ditur se me presidenten Vjosa Osmani kanë biseduar edhe për marrëdhëniet ekonomike, për çështjen e migracionit dhe për projekte me të cilat Zvicra mbështet demokracinë dhe paqen.

Paqja e qëndrueshme në rajon dhe një perspektivë evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimore, për Zvicrën kanë prioritet të lartë, sipas presidentes Keller-Sutter.

Ajo garantoi se do ta vazhdojnë mbështetjen ndaj Kosovës në rrugëtimin për forcimin e shtetit.

Ndërsa, pjesë e diskutimeve mes dy presidenteve ishin edhe zhvillimet aktuale në botë, përfshirë këtu luftën në Ukrainë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron për vizitë zyrtare në Zvicës, ku është pritur me nderimet më të larta shtetërore.

Në fjalimin e mbajtur në Pallatin Federal të Zvicrës, presidentja Osmani tha se Zvicra u bë avokat i fuqishëm për lirinë e Kosovës dhe për shumë qytetarë të Kosovës, të cilët gjatë luftës gjetën strehë në këtë vend.

“Këtu në Zvicër, shumë nga përpjekjet për lirinë e Kosovës gjetën përkrahje dhe mbrojtje dhe ne asnjëherë nuk do ta harrojmë këtë”, theksoi presidentja Osmani.