Presion e jo kërcënim i presidentit Macron

Nga Augustin Palokaj

Macron nuk ka thënë në mënyrë të prerë se dëshiron pezullimin e liberalizimit të vizave. Por askush nuk do ta thotë se ai nuk e ka në mendje këtë opsion pasi ai liberalizim qartë ka ndikim të madh në Kosovë dhe pse të mos përdoret për presion.

Njohësit e gjuhës frënge, duke lexuar me shumë kujdes atë që presidenti i Francës e ka thënë në Tiranë lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, nuk mendojnë se ai ka thënë se Franca ka suspenduar mbështetjen për liberalizimin e vizave. Macron është i njohur për shkathtësitë e tij gjuhësore dhe nuk është e lehtë që fjalitë e tij të kenë vetëm një kuptim.

Këta njohës të frëngjishtes sqarojnë se fjala “suspendue“ në frëngjisht nuk e ka kuptimin e njëjtë sikur “suspended“ në anglisht. Dhe në frëngjishte ka më shumë kuptime por nuk do të thotë edhe ndërprerje apo anulim. Më shumë këtu duket se Macroni ka folur për humbjen e besimit, dhe se është në pritje të lëvizjeve nga autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë, për kthimin e besimit të humbur. Nuk ka lënë asnjë dilemë se ai mendon se nga ana e Kosovës nuk është mbajtur fjala.

Ndërsa liberalizimin e përmend si një gjest të mirëbesimit ndaj Kosovës, që Franca me partnerët e tjerë e ka bërë.

Macron pra nuk ka thënë në mënyrë të prerë se dëshiron pezullimin e liberalizimit të vizave. Por, askush nuk do ta thotë se ai nuk e ka në mendje këtë opsion pasi ai liberalizim qartë ka ndikim të madhe në Kosovë dhe pse të mos përdoret për presion.

Prandaj në sqarimet se “çfarë ka thënë“ dhe “çfarë ka menduar“, Macroni nuk do të ketë demantim se ai nuk është kërcënuar me suspendimin e liberalizimit të vizave. Fundi i fundit ai është president dhe nuk ka shumë mundësi nga ai të kërkohen sqarime se çfarë ka menduar.

Por suspendimi i liberalizimit të vizave, as për Kosovën, as për ndonjë vend tjetër që tashmë e gëzon mundësinë e lëvizjes së lirë, nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme nga vetëm një shtet anëtar.

Vendimi i liberalizimit të vizave për Kosovën është fuqiplotë. Ai vetëm pritet të nis të zbatohet me datën 1 janar të vitit që vjen. Është miratuar përmes procedurës së komplikuar ndërinstitucionale të BE-së ku pëlqimin e ka dhënë edhe Parlamenti Evropian. Është votuar edhe nga vendet anëtare në Këshill me shumicën e nevojshme të kualifikuar. Dhe në këtë proces, Franca ka qenë ndër kundërshtaret më të mëdha.

Madje Franca kishte kërkuar që liberalizimi i vizave për kosovarët të nis të zbatohet në të njëjtën kohë kur do të nis edhe zbatimi i sistemit të ETIAS-it, një sistem të regjistrimit dhe autorizimit të udhëtimeve për shtetasit e huaj në BE.

Për fat të mirë, kjo nuk ishte pranuar nga shtetet tjera prandaj edhe si kompromis doli data 1 janar e vitit 2024. Sikur të kishte kaluar propozimi i Francës, liberalizimi për kosovarët nuk do të hynte në fuqi me 1 janar të vitit që vjen pasi tashmë është shtyrë përsëri hyrja në fuqi e ETIAS-it.

Nëse Franca dëshiron suspendimin e liberalizimit të vizave për Kosovën atëherë duhet të inicioj nisjen e procedurës. Këtë duhet edhe ta arsyetoj dhe ta bazojë në disa argumente që përmenden si valide në mekanizmat e suspendimit të liberalizimit të vizave nga viti 2018.

Arsyet sipas kësaj rregullore duhet të jenë të lidhura me keqpërdorimet e liberalizmit, me fluksin e madh të azilkërkuesve, me rrezikun për sigurinë kombëtare, etj. Pak ka mundësi që të dëshmohet se kosovarët e kanë keqpërdorur liberalizimin edhe para se ai të nis të zbatohet.

Nëse Franca edhe nis procedurën atëherë ajo duhet të shkoj në grupin punues për vizat në Këshill dhe të merr edhe mbështetjen e shumicës së nevojshme të shteteve anëtare.

Holanda në vitin 2019, pa sukses, kishte kërkuar që BE-ja të suspendoj liberalizimin e vizave për shtetasit e Shqipërisë. Franca nuk e kishte bërë një kërkesë të tillë formalisht por shpresonte se kërkesa e Holandës do të ishte e suksesshme. Franca ka pasur shumë probleme me azilkërkues të pabazuar nga Shqipëria.

Madje disa herë diplomatë të Francës e kanë përmendur pikërisht “përvojën e hidhur me shtetas të Shqipërisë“ si arsyetim për të mos mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën. Në atë kohë thoshin se “Edhe për Shqipërinë na thoshin se i ka përmbushur të gjitha kushtet por ja na erdhën dhjetëra mijëra azil kërkues, më shumë sesa nga vendet ku ka luftë“.

Edhe sot shtetasit e Shqipërisë paraqesin problem për autoritetet e Francës pasi në numër shumë të madh vinë në këtë shtet nga ilegalisht kalojnë drejt Britanisë së madhe.

Shqetësimi në rastin e Shqipërisë ka të bëjë me përvojën që nga liberalizimi i vizave e deri tash. Ndërsa në rastin e Kosovës është më shumë politikisht i motivuar për shkak të pakënaqësive për sjelljen e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë.

Duke pasur parasysh se për Kosovën në BE nuk ka shumë simpati, gjë që dëshmon edhe mbajtja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës ndërkohë që nuk vendosen masa ndaj Serbisë, nuk do të ishte e pamundur që me një vullnet të madh politik edhe të suspendohet liberalizimi i vizave.

Kjo për momentin, sipas diplomatëve në Bruksel, është “shumë e pabesueshme dhe e papritshme“.

Por asgjë në BE nuk është e pamundshme sepse edhe strukturat e saj veprojnë sipas kërkesave politike.

dyshim mund të thuhet se përmendja e liberalizimit të vizave nga ana e presidentit të Francës paraqet një presion, edhe pse ndoshta fjala “kërcënim“ nuk do të ishte e përshtatshme. Ky presion qëllimisht vjen në prag të vizitës së 5 të dërguarve të posaçëm, të liderëve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, që me 21 tetor do të jenë në Kosovë dhe në Serbi.