Demo Berisha, një shqiptar me origjinë nga Peja dhe ish-oficer i ushtrisë jugosllave e më pas asaj serbe, është propozuar për postin e Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Qeverinë e Serbisë.
Berisha është një emër i njohur për opinionin publik për shkak të qëndrimeve të tij të hapura kundër pavarësisë së Kosovës. Në daljet e tij të shpeshta mediatike, ai është shprehur se “Kosova është Serbi” dhe se “Serbia është atdheu i tij i vetëm”. Po ashtu, ai ka akuzuar Perëndimin për “spastrimin etnik të serbëve në Kosovë” dhe ka kundërshtuar çdo ide për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Kush është Demo Berisha?
Shkollimin fillor e ka përfunduar në Kosovë, ndërsa atë ushtarak në Sarajevë. Më pas ka ndjekur studimet për ekonomi në Novi Sad, ku edhe ka ndërtuar pjesën më të madhe të karrierës së tij, duke e përfunduar në strukturat e policisë ushtarake të Serbisë.
Që prej vitit 2014, Demo Berisha është kryetar i shoqatës “Amza e shqiptarëve” me seli në Novi Sad, një organizatë që pretendon të përfaqësojë shqiptarët në Serbi, por që në fakt është kthyer në një platformë propagandistike kundër shtetësisë së Kosovës dhe lidershipit shqiptar në rajon.
Në daljet e tij publike, si në media serbe, ashtu edhe në rrjete sociale, Berisha ka bërë një sërë deklaratash të ashpra dhe të kontestuara. Ai ka deklaruar se “Serbia është atdheu i tij” dhe se “nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”. Më tej, ka theksuar se “Kosova është Serbi” dhe se “NATO ka kryer agresion ndaj Serbisë”.
Duke komentuar ngjarjet në Banjskë, Berisha i ka cilësuar ato si “luftë për mbijetesë të serbëve në Kosovë dhe Metohi”, duke e përshkruar situatën në veri si pasojë e një “terrori të egër shqiptar”, për të cilin ai fajëson qeverinë e Albin Kurtit dhe Perëndimin që, sipas tij, po e lejon këtë spastrim etnik të serbëve.
Në vazhdën e deklaratave të tij, Demo Berisha ka sulmuar edhe simbolet e shtetësisë së Kosovës, duke e quajtur heqjen e dinarit serb në veri si një tjetër provë të “shtetit të rrejshëm të Kosovës” që, sipas tij, ekziston vetëm falë mbështetjes amerikane.
Gjithashtu, Berisha ka theksuar se “nuk do të ketë asnjëherë bashkim të Kosovës me Shqipërinë, përveç nëse këtë e lejojnë serbët”, duke shtuar se “edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës janë qytetarë të Serbisë dhe e ardhmja e tyre është në Beograd, jo në Prishtinë apo Tiranë”.
Deklaratat e tij të shumta janë shoqëruar me reagime të forta në Kosovë, ku figura të jetës politike dhe qytetare kanë kërkuar që ndaj tij të nisin hetime nga organet e drejtësisë për dëm moral dhe politik ndaj shtetësisë së Kosovës. Për shumë analistë, qëndrimet e tij përbëjnë jo vetëm mohimin e realitetit politik në rajon, por edhe nxitje për përçarje etnike dhe justifikim të dhunës.
Për më tepër, burime të ndryshme kanë bërë me dije se Demo Berisha është shpërblyer për qëndrimet e tij duke u emëruar në një post të rëndësishëm në qeverinë serbe, gjë që shton shqetësimet për ndikimin që ai ushtron mbi shqiptarët në Serbi në funksion të politikave të Beogradit.
Në një kohë kur dialogu Kosovë–Serbi mbetet i brishtë dhe i ndikuar nga tensione të vazhdueshme, figura të tilla si Demo Berisha përbëjnë një pengesë reale për paqen dhe bashkëjetesën ndëretnike në Ballkan.