Protestat masive e frikësojnë Vuçiqin

Kur po përballet me presionin e madh publik, autokrati në rritje, Vuçiqi, ka thirrur një tubim të vetin për javën e ardhshme në kryeqytet. Ai ka paralajmëruar se mund të dorëhiqet krejt qeveria dhe se zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të shpallen për muajin shtator. Ndërkaq, në protestën e opozitës në Beograd, e cila është raportuar se ishte e gjatë 2.5 kilometra, është bërë thirrje kundër Vuçiqit, duke kërkuar dorëheqjen e dy ministrave dhe heqjen e licencave ndaj dy televizioneve serbe, të cilat, sipas tyre, promovojnë dhunën dhe lartësojnë figurat e krimit.

Mijëra njerëz kanë marshuar në Beograd të premten për herë të tretë brenda muajit në serinë e protestave kundër menaxhimit të krizave nga qeveria pas dy sulmeve në masë. Protestat janë mbajtur teksa zyrtarët qeveritarë kanë mohuar kritikat dhe kanë injoruar kërkesat e protestuesve.

Si kundërpërgjigje, partia nacionaliste e presidentit autokrat të Serbisë, Alexandar Vuçiq, ka organizuar një protestë në veri të Beogradit, në të cilën morën pjesë mijëra përkrahës të tij.

Ndërkaq, në protestën e opozitës në Beograd, e cila është raportuar se ishte e gjatë 2.5 kilometra, është bërë thirrje kundër Vuçiqit, duke kërkuar dorëheqjen e dy ministrave dhe heqjen e licencave ndaj dy televizioneve serbe, të cilat, sipas tyre, promovojnë dhunën dhe lartësojnë figurat e krimit.

Kryeministrja Ana Brnabiq dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë kanë marrë pjesë në seancën parlamentare të së premtes e cila kishte të bënte për vrasjet më 3 dhe 4 maj. Opozita në anën tjetër, ka kërkuar zëvendësimin e ministrit të brendshëm dhe shefit të inteligjencës pas sulmeve në të cilat mbetën të vrarë 18 persona, shumica prej tyre fëmijë.

Dy sulmet kanë shokuar Serbinë, sidomos kur e sulmi i parë ndodhi në shkollën fillore në qendër të Beogradit kur një 13-vjeçar me revolen e babait vrau tetë fëmijë dhe rojën e shkollës, ndërkaq plagosi shtatë të tjerë. Një vajzë më vonë vdiq në spital shkaku i plagëve në kokë.

Të nesërmen, një 20-vjeçar përdori armë automatike për të vrarë këdo që gjeti në dy fshatra në jug të Beogradit. Vrau tetë persona dhe plagosi 14 të tjerë.

Image
Në protestën e opozitës në Beograd, e cila është raportuar se ishte e gjatë 2.5 kilometra, është bërë thirrje kundër Vuçiqit

Akuzat e kryeministres

Kryeministrja Brnabiq mohoi të gjitha akuzat se autoritetet populiste janë përgjegjëse për sulmet. Ajo ka akuzuar opozitën për nxitjen e dhunës në shoqëri dhe kërcënimin e presidentit Vuçiq. Brnabiq i ka cilësuar protestat e opozitës si “puro politike”, duke thënë se kanë për qëllim që me forcë ta rrëzojnë Vuçiqin dhe qeverinë e tij.

“Ju jeni bërthama e spirales së dhunës në këtë shoqëri. Ju jeni duke pështyrë urrejtje”, ka thënë Brnabiqi për deputetët opozitarë.

Ajo gjithashtu ka thënë se “gjithçka që ka ndodhur” në Serbi pas sulmeve në masë “direkt është punë e shërbimeve të huaja të inteligjencës”, duke shtuar se qeveria e saj mund të ndryshohet vetëm me dëshirën e popullit në zgjedhje dhe jo në rrugë.

Tubimi i opozitës jashtë ndërtesës së parlamentit, ishte i treti që prej vrasjeve në masë. Dy tubimet e mëparshme nxitën pjesëmarrjen e mijëra njerëzve, të cilët marshuan paqësisht, por shpesh bënin thirrje kundër Vuçiqit.

Pas dy sulmeve në masë, autoritetet nisën fushatën kundër armëve dhe angazhuan policinë nëpër shkolla me qëllim që të ngrihet siguria.

Ndërkaq, kur po përballet me presionin e madh publik, autokrati në rritje, Vuçiqi, ka thirrur një tubim të vetin për javën e ardhshme në kryeqytet. Ai ka paralajmëruar se mund të dorëhiqet krejt qeveria dhe se zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të shpallen për muajin shtator.

Ai mori pjesë edhe në një tubim të partisë të premten në Pançevë. Ky tubim nisi në të njëjtën orë me protestën e prirë nga opozita në Beograd.

Në fjalimin e tij, Vuçiqi ishte pasqyrim i kryeministres së tij, duke thënë se protesta e opozitës ishte e orkestruar nga jashtë. Ai ka akuzuar kundërshtarët e tij politikë se po tentojnë të marrin pushtetin me dhunë dhe “ta shkatërrojnë Serbinë”.

“Nuk mund të ketë pushtet pa zgjedhje. Kurrë nuk do t’u shërbej të huajve”, ka thënë Vuçiqi para turmës. Ai ka akuzuar opozitën se po shfrytëzon pikëllimin e serbëve pas sulmeve të majit.

Mediat e Vuçiqit

Kundër protestës kanë qenë edhe mediat e kontrolluara nga pushteti i Vuçiqit në Beograd. Gazeta “Informer” kur ka raportuar për protestën ka shkruar se janë mbledhur 10 mijë urrejtës. Ndërkaq, tabloidi “Alo” i ka quajtur protestuesit dhe opozitarët si “grabitqarë”, “opozitarë të dehur” dhe “alkoolist pa kontroll”.

Të premten gjatë ditës, ministri i Brendshëm, Bradislav Gashiq, dorëheqja e të cilit është kërkuar nga protestuesit, ka mbrojtur masat policore pas sulmeve. Ai ka thënë në parlament se qytetarët deri më tani kanë dorëzuar më shumë se 23 mijë armë dhe mbi 1 milion municion.

“Policia nuk ka mundur ta dinte ose parashikonte se një gjë e tillë do të ndodhte”, ka thënë ai për vrasjet në shkollë, rasti i parë në histori të Serbisë.

Gashiqi gjithashtu ka konfirmuar raportet e medieve se një person, i cili së fundmi ishte liruar nga një spital për sëmundjet mendore, kishte përdorur një raketë kundër tankeve në një shtëpi të zbrazët në qytetin Ruma, në periferi të Beogradit. Askush nuk është lënduar në këtë incident ndërkaq janë arrestuar dy persona.

Image
Në tubimin e partisë së tij, Vuçiqi ka akuzuar kundërshtarët politikë se po tentojnë ta marrin pushtetin me dhunë dhe ta shkatërrojnë Serbinë

Problemi me armët

Serbia është e mbushur me armë që kanë mbetur nga luftërat e viteve ’90, përfshirë lansuesit e raketave dhe granatat e dorës. Ndër masat e tjera për kontrollin e armëve, shteti ka ashpërsuar kontrollin e armëve te pronarët dhe poligonet.

Duke pasur parasysh veprimin e shpejtë të qeverisë për të reduktuar numrin e armëve në qarkullim dhe mungesën e kundërshtimeve të gjera ndaj propozimeve të tyre, pyetja është: pse dhjetëra mijëra njerëz janë ende të motivuar të dalin në rrugë në shenjë proteste?

Analisti politik, Boshko Jakshiq, pajtohet se amnistia e armëve nuk është mollë sherri.

“E vetmja gjë që Vuçiqi organizoi menjëherë ishte kontrolli i armëve. Ky është i organizuar mirë dhe funksionon – kështu që pse duhet që demonstruesit të kërkojnë një masë të tillë kur tashmë ekziston?”.

Në vend të kësaj, protestuesit po shikojnë përtej armëve dhe drejt asaj që ata i shohin si shkaqet kryesore të të shtënave.

Specifikat përfshijnë kërkesat për dorëheqjen e dy zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe heqjen e licencave të dy transmetuesve proqeveritarë. Por në përgjithësi, protestuesit thonë se janë më të shqetësuar për një kulturë të dhunës retorike dhe fizike, e cila ata besojnë se është rritur qëkur Partia Progresive Serbe mori pushtetin në vitin 2012.

“Ne jemi të rrethuar nga dhuna – në domenin publik, komunikimin politik, parlamentin dhe shfaqjet televizive”, ka thënë ditë më parë banori i Beogradit, Aleks. “Kultura e bisedës së qytetëruar është plotësisht e humbur”.

I të njëjtit mendim ka qenë edhe protestuesi Miloshi. “Ngjarjet tragjike ishin një kulm i metodave të dhunshme – jodomosdoshmërisht fizike – që ata po praktikojnë në media”, ka thënë ai.

Asnjëri nga këta protestues nuk beson se Serbia është në rrezik të imitojë nivelet e dhunës me armë që shihen në SHBA.

“Kjo narrativë vjen kryesisht nga zyrtarë qeveritarë që fajësojnë ‘vlerat perëndimore’”, thotë Aleksi. “Ajo që po shohim nuk ka të bëjë me vlerat perëndimore, por me vlerat e imponuara nga qeveria jonë”.

Përktheu: Gent Mehmeti