PS hap fushatën, Rama: Kemi në dorë fatin europian të vendit, ta ulim Shqipërinë në sallonin e BE

Kryesocialisti Edi Rama, në hapjen e fushatës së PS-së, i konsideroi zgjedhjet parlamentare të 11 majit si “një mundësi historike” për integrimin e vendit në BE. Teksa kërkoi një mandat të katërt, Rama tha se në këto zgjedhje shqiptarët kanë në dorë fatin e vendit, ndërsa ëndrrën europiane e shtriu edhe nëpër histori.

Sipas kryesocialistit Rama, njëherazi edhe kryeministër i vendit, dëshira e shqiptarëve për t’u bashkuar me familjen europiane është e pakrahasueshme me çdo popull tjetër në Ballkan.

“Një mundësi historike për Shqipërinë që në vetëm 4 vjet mund të bëhet zonjë anëtare e familjes së bashkuar Europiane. Ne dhe vetëm ne dhe askush tjetër kemi në dorë fatin europian të Shqipërisë dhe kemi 30 ditë përpara për t’u lidhur dorë për dore me çdo shqiptar që e do zonjën e Shqipërisë në sallonin e Bashkimit Europian dhe veten e vet qytetar të barabartë të Europës. Prandaj dhe është krejt ndryshe nga të gjitha herët e tjera mbledhja jonë sot këtu. Për ne, sot këtu, përfaqësuesit e popullit socialist të Shqipërisë nis e përpjeta e fundit e Europës dhe fundi i historisë sonë jashtë saj.

Përpara nesh është vetëm një datë, 11 maj, e afërt sa 30 mëngjese dhe pas saj është vetëm një mandat për ta fituar bastin historik me Europën për Shqipërinë. Na ka zgjedhur ne fati për t’i dhënë shtysën e fundit gurit të lirisë, pavarësisë drejtësisë para ligjit, duke e vendosur njëherë e mirë në këndin e ndërtesës europiane, aty ku së bashku do të ngjisim edhe flamurin më të bukur në botë. Nuk ka në Ballkan një popull të dytë si shqiptari që në shekujt e pasosur rraskapitës të jetë ngulur si një asket në majë të një shkëmbi për t’i mbijetuar gjithçkaje dhe gjithkujt dhe nuk ka në Ballkan popull tjetër më të njësuar me ndjenjën e përkatësisë me Europën,” tha Rama.

Sipas kryeministrit Rama, karta e socialistëve për të qenë më pranë BE-së nuk është vetëm retorikë, por një nevojë gjeopolitike duke parë sfidat që po përballet kontinenti.

“Tamam në këtë vit, në 2025, që përpos të tjerave është jubilar, dhe është një vit i shenjtë përbotësisht, qëllimet dhe kanosjet e luftës në dyert e Europës dhe rrëmujat e reja gjeopolitike paralajmërojnë kohëra dhe sfida të mëdha përpara, ne shqiptarët nuk mundet në asnjë mënyrë ta humbasim takimin me historinë për mustaqet e Kujtim Gjuzit. Sado komike të duket kjo është e vërteta: të takosh historinë apo të futesh nën mustaqet e Kujtim Gjuzit,” tha kryeministri.

Kreu i qeverisë paralajmëroi se këtë fushatë do e shfrytëzojë për të shkelur dhe shpërndarë mesazhin e tij ndaj rrezikut që i kanos “këneta” vendit, duke iu referuar opozitës.

“Ky muaj i ndarë mes prillit dhe majit është koha që ne të nisim jo fushatën elektorale të radhës, por kuvendimin e madh të maleve e fushave, të qyteteve e fshatrave, të shqiptarëve e shqiptareve përtej të majtës e të djathtës, matanë barrikadave partiake e ndasive të vjetra, për Shqipërinë zonjë në sallonin e madh të familjes së bashkuar europiane. Sa më të bashkuar dhe sa më të vetëdijshëm për fatin që na ka ardhur në dorë, por jo përgjithmonë, sepse takimet me historinë nuk presin dhe as shtyhen sipas qejfit tonë sepse kemi ca punë të tjera, ne duhet t’i shkojmë rrugës së hapët të fatit pa paragjykime për njëri-tjetrin dhe pa tundime për budallallëqet e radhës nëse duam t’i japim fund historisë së një populli padrejtësisht i mbetur si i dorës së dytë dhe t’u dorëzojmë fëmijëve tanë dhe të gjithë brezave që vijnë një vend brenda Bashkimit Europian.

S’ka asnjë dyshim se Shqipëria sot nuk do të jetë gjëkundi njësoj me Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, në asnjë fushë, në asnjë drejtim dhe mbase, mbase edhe këneta opozitare do të jetë tharë deri atëherë. Kjo është e vetmja gjë që e ka në dorë pakica dhe jo shumica e shqiptarëve. Shqipëria 2030 do të jetë një Shqipëri e re, një vend me një tjetër pozicion, një tjetër fuqi, si një shtet anëtar i një familjeje të madhe. Në atë familje liria individuale e shqiptarëve nuk do të vihet më kurrë në diskutim dhe asnjë qeveri apo i parë qeverie këtu në Shqipëri, sepse kush hyn në atë shtëpi nuk luan dot më kukafshehthi me qytetarët e vet. Zgjedhja nuk është mes sa partive, pror mes Shqipërisë 2030 në BE dhe Shqipërisë drejt e në gropë, përsëri. Me ne ose me kënetën madhështore dhe me shitësit e qilimave fluturues të pazarit dhe moçaleve të vegjël rreth saj, që kanë edhe ca emra shumë qesharake,” u shpreh Rama.

Ai ironizoi sërish Partinë Demokratike, teksa tha se objektivi i Sali Berishës është “shkatërrimi i vendit”.

“Prioritet sipas kënetës është kthimi i bufit për të tretën herë në krye të vendit pasi në dy herët e mëparshme nuk e shkatërroi mjaftueshëm Shqipërinë. Për këtë prioritet, bufi ka sjellë kushedi me sa para edhe një latif nga Amerika, i cili të kujton atë të fortin e lagjes që qullsi shko dhe i thërret ‘hajde latif se ata do më rrahin’”, tha Rama.

Kryesocialisti shpalosi edhe një pjesë të programit ekonomik e politik për katër vitet e ardhshme.

“Vetëm shqiptarët e bashkuar me mua dhe me ju këtu mund të mbrojmë drejtësinë e re nga çdo orvatje destruktive e kënetës. Mund të mbyllim negociatat me BE-në brenda dy vitesh. Mund të rrisim prodhimin e përgjithshëm kombëtar nga 25 miliardë euro që është sot në 35 miliardë euro. Mund të rrisim të ardhurat për frymë nga afro 10.400 euro që janë sot në të paktën 15 mijë. Mund të rrisim pagën mesatare në sektorin publik nga 1 mijë euro që është sot në të paktën 1.200 euro apo pagën e përgjithshme mesatare mund ta rrisim nga 830 euro që është sot në të paktën 1 mijë euro, pa harruar pensionet dhe pensionistët, për të gjithë kontribuesit në skemë, ne do ta ngjisim mesataren në 400 euro, ndërsa minimumin do ta synojmë deri në 200 euro, ose pagën minimale që ishte 157 euro, ne do ta ngremë qysh prej janarit 2026 nga 400 euro në 500 euro dhe në Shqipërinë 2030 ta kemi 650 euro,” tha Rama.

Në fund të fjalës së tij, Rama tha se objektivi për integrimin e vendit në BE duhet të shkojë përtej partive, duke bërë thirrje “për bashkim për t’i dhënë të nesërmes ngjyrën e fatit europian të Shqipërisë”.

“Të dashur qytetarë dhe qytetare, unë ju bëj një thirrje që të bëhemi bashkë një soj si 5 gishtat e dorës për t’i dhënë të nesërmes ngjyrën e fatit europian të Shqipërisë. Në javën e fitores sonë që do të mbyllet në këtë shesh nga vetë Europa e cila më 16 maj, për herë të parë në histori, do ta ngrejë tendën nën hijen e “profetit”. Ndaj le t’i lëmë për herë tjetër, pas kësaj here, llogoret partiake. Le t’i harrojmë këtë herë fanellat e tifozllëkut partiak. Le të ngrihemi në lartësinë e takimit në historinë që na ka ardhur në derë dhe të mos lejojmë kurrsesi që porta e hapur e shtëpisë së madhe të Europës së bashkuar të mbyllet për shkak të shpërqendrimit nga qëllimi ynë. Vetëm duke realizuar këtë profeci kombëtare ne do të jemi në lartësinë e duhur për historinë. Vetëm duke çuar në vend atë amanet ne do të jemi të denjë për etërit që na dhanë emrin, alfabetin, flamurin Shqipërinë”, theksoi ai.