Në fakt, ky gazsjellës do ta dyfishonte vëllimin e gazit rus që furnizon Europën.
Vetëm ky tubacion vlerësohej se do t’u shërbente rreth 26 milionë familjeve në Europën Perëndimore.
7 muaj më vonë Nord Stream 2 është dëmtuar, po rrjedh gaz dhe askush nuk e di arsyen.
Një rrjedhje e tillë mund të jetë e rrezikshme dhe për këtë arsye Danimarka ka urdhëruar anijet të qëndrojnë larg një rrezeje prej 5 miljesh nautike.
Por nëse ky gazsjellës nuk ishte funksional dhe s’ishte vënë kurrë në punë, përse po rrjedh gaz prej tij?
Arsyeja është e thjeshtë.
Përpara se Gjermania të pezullonte projektin, Rusia ishte përgatitur duke e mbushur tubacionin me 300 metra kub gaz të cilat tashmë po përfundojnë në ujërat e kripur të Detit Baltik.
Kjo jo vetëm që shkakton dëme për ujin dhe organizmat e gjallë, por është edhe një humbje tejet e madhe për të gjithë aktorët.
Rusia ka investuar shumë në projektin e gazsjellësit Nord Stream.
Investimi total vlerësohet të jetë rreth $11 miliardë dollarë.
Gjysma e këtij investimi u bë nga Rusia dhe gjysma nga partnerët e saj evropianë: NG, OMV, Royal Dutch Shell, Uniper dhe Wintershall.
Investimet e të gjitha këtyre firmave të mëdha evropiane mund të kthehen në një humbje e madhe.
Rrjedhja – nëse është orkestruar nga Rusia – ka shumë të ngjarë të jetë një taktikë strategjike që synon të detyrojë palët e interesuara, pra investitorët europianë – përfshirë qeverinë gjermane – të kthehen në tryezën e bisedimeve për të rinisur bashkëpunimin.
Por a ishte i nevojshëm shkatërrimi i gazsjellësit për ta bërë këtë?
Ky është një skenar i mundshëm. Por, duke dëmtuar tubacionet, Rusia nuk po harxhon vetëm para për gazin dhe kostot e ndërtimit, por ky gazsjellës ishte edhe një as nën mëngë mjaft i rëndësishëm për Rusinë që mund të përdorej kundër Europës, ndaj edhe për shumë kritikë duket e vështirë që Kremlin të ketë ndërmarrë një hap kaq radikal vetëm për të plotësuar një tekë apo për të provuar një argument.
Gjithsesi, ka dhe një pyetje shumë të rëndësishme që mbetet për t’u adresuar.
A ishte ky incident një rastësi apo një lëvizje e orkestruar?
Mesa duket, Nord Stream 2 nuk është i vetmi gazsjellës që po përjeton një rrjedhje.
Në fakt, çarje janë regjistruar në të njëjtën kohë edhe në gazsjellësin Nord Stream 1 përmes të cilit Rusia kishte pezulluar për një kohë të pacaktuar transportin e gazit drejt Europës.
Sipas autoriteteve në Danimarkë, janë regjistruar 2 rrjedhje në Nord Stream 1 dhe 1 në Nord Stream 2.
Zbulimi i këtyre rrjedhjeve të njëpasnjëshme në të njëjtën kohë në 2 tubacione të ndryshme nuk ka si të jetë një rastësi.
Vetë diplomatët e BE-së kanë pranuar se rrjedhjet në Nord Stream rezultuan nga një “akt i qëllimshëm”. Shumëprej tyre i kanë quajtur ato një sabotazh të hapur kundër BE-së.
“Tre rrjedhje të veçanta që u zbuluan për herë të parë të hënën në tubacionet Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 nga Rusia në Gjermani “nuk janë një rastësi dhe na prekin të gjithëve”, tha Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Sigurinë në BE.
C.I.A. ndërkohë i kishte paralajmëruar qeveritë evropiane për sulme të mundshme ndaj tubacioneve.
Pra, kush qëndron pas tyre?
Udhëheqësit e lartë europianë dhe ukrainas fajësuan Moskën për rrjedhjet, ndërsa mediat shtetërore ruse sugjeruan përfshirjen e SHBA-së ose të Ukrainës.
Të mërkurën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri S. Peskov, i quajti akuzat për përfshirjen ruse “të parashikueshme, një marrëzi dhe absurditet” dhe përsëri ai drejtoi gishtin nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se furnizuesit amerikanë të gazit të lëngshëm po shihnin “fitime të mëdha” nga furnizimi me gaz në Europë.
Sipas Kremlinit, Uashingtoni është ai që duhet fajësuar pasi atyre mund t’i interesojë të pezullojnë të gjithë llojet e eksportit të gazit rus drejt Europës.
Sipas tyre, që prej vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë nga BE-ja, Shtetet e Bashkuara janë kthyer në furnizuesin kryesor të energjisë në Gjermani dhe Evropë – duke eksportuar gazin e saj të lëngshëm (LNG) në mënyrë që të plotësojë kërkesat e kontinentit.
Sido që të jetë, kjo është një humbje e madhe për Evropën dhe definitivisht mund të shërbejë në përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit pasi Evropa – veçanërisht Gjermania – do të përballen me një dimër tejet të ftohtë.
Ekspertët ushtarakë dhe të sigurisë amerikane kanë paralajmëruar për vite me radhë për rrezikun që paraqet e ashtuquajtura ‘luftë hibride’, që do të thotë aftësia e një shteti apo agresori për të minuar funksionet demokratike, për të prishur rendin e zakonshëm të ditës, normalitetin dhe për të mbjellë kaos dhe pasiguri në një shtet tjetër.
Këto rrjedhje ishin një përkujtim i ashpër dhe një e vërtetë e hidhur që na kujton edhe një herë, se sa të ekspozuar jemi në realitet, ndaj këtyre sulmeve të jashtme kundër sistemeve tona jetike./Euronews Albania