Me një muaj vonesë, procesi mësimor nisi të hënën në të gjitha institucionet arsimore.
Fillimit të vitit shkollor më së shumti iu gëzuan fatosat, që për herë të parën u ulën në bankat shkollore.
“Unë jam gëzuar kur e kam parë mësuesin për herë të parë”, tha nxënësja Asja Tupërlaku në SHFMU “Elena Gjika”.
“Unë jam gëzuar që ia ka nisur shkolla”, tha Shpat Berisha, nxënës në SHFMU “Elena Gjika”.
Përderisa mësimi filloi, mësimdhënësve as këtë të hënë nuk u dolën pagat në llogaritë e tyre për muajin shtator, kohën sa ishin në grevë.
Të premten, në mbledhjen e Qeverisë, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se vetëm atyre që kanë punuar me orar të plotë do t’iu procesohen pagat.
Mirëpo, pagat në sektorin e arsimit nuk u dolën as atyre që nuk ishin në grevë.
Drejtorët e shkollave i kanë bërë thirrje Qeverisë që t’i ekzekutojnë rrogat për të gjithë punëtorët e sektorit të arsimit
“Na kemi qenë në punë, personalisht kam qëndruar 10 orë në punë, edhe mësimdhënësit tri orë kanë qëndruar dhe kanë qenë aktivë, nuk kanë ardhur këtu veç të rrinë, kanë ardhur me punua, nëse i ndalin në këtë situatë askush nuk e di se çfarë epilogu do të ketë”, tha Visar Osmani, drejtor në SHFMU “Emin Duraku”.
“Pa dyshim paga është mjet që i stimulon edhe motivon mësimdhënësit, shumë mësimdhënës të arsimit parafillor dhe të tjerët janë të zhytur në borxhe nëpërmjet kredive duke i shfrytëzuar nga bankat komerciale, prandaj është ndëshkim dyfish nëse për çdo rast vonohet”, tha Azem Jaha, drejtor në gjimnazin “Xhevdet Doda”.
Në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit kanë thënë se janë duke pritur që Ministria e Financave t’ua ekzekutojë pagat deri më 5 tetor, i cili është afati i fundit ligjor për procesimin e mjeteve për punëtorët e sektorit publik.
Në Sindikatë kanë thënë se të shtunën Ministria u ka thënë se ka qenë një gabim teknik dhe se të hënën do t’i marrin pagat.
Përderisa sektori i arsimit ka mbetur pa paga, punëtorët e administratave, të cilët po ashtu kanë qenë në grevë, i kanë pranuar mjetet në llogaritë e tyre.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se MASHTI ka përpiluar listën e mësimdhënësve të shkollave që kanë mbajtur mësim gjatë muajit shtator dhe pagat e tyre do të procedohen së shpejti.
Ai ka lënë të kuptohet se vetëm mësimdhënësit që kanë punuar do të paguhen.
“Për dallim nga punëtorët e arsimit, për punëtorët në administratës publike ne nuk kemi pasur informata të plota se kush ka grevuar dhe jo, meqë greva aty nuk ka qenë homogjene. Megjithatë, kjo çështje do të trajtohet nga auditori. Parimi pagë për punë do të respektohet”, tha Kryeziu.
Që nga 25 gushti punëtorët e administratës e mësimdhënësit kanë qenë në grevë të përgjithshme me kërkesën për shtesa mbi pagë në vlerën e 100 eurove. Ata tani kërkojnë që Ligji për Paga të hyjë në fuqi në muajin janar.