Rusia vazhdon humbjet e saj në fushën e betejës në Ukrainë. Një tjetër komandant i një prej batalioneve të separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës, Mikhail Kishchik, është vrarë.
I njohur më mirë me pseudonimin Misha Çeçeni, Kishchik vdiq ndërsa trupat ruse dhe forcat e separatistëve filluan një sulm kundër ushtrisë ukrainase në lindje të vendit.
Kryeministri i republikës së vetëshpallur popullore të Luhansk (LNR) Sergei Kozlov shkruan në llogarinë e tij në rrjetet sociale: “Lajm i trishtuar nga vija e frontit. Ka vdekur një patriot i LNR, nënkoloneli Mikhail Kishchik”. Kozlov shton se Kishchik dhe shokët e tij u rrethuan nga ukrainas afër qytetit të Kreminës dhe “luftuan deri në fund”.
“Po përcaktojmë numrin e të vrarëve dhe të plagosurve”, shton ai.
Kremina është një nga pikat në vijën e frontit ku forcat ruse po përpiqen të avancojnë drejt qyteteve më të mëdha të Lysychansk dhe Severodonetsk, të mbajtura nga trupat ukrainase. Kishchik dhe batalioni i tij kanë luftuar kundër forcave ukrainase që nga viti 2014. Në fazat e hershme të konfliktit, ai dhe luftëtarët e tij u akuzuan për plaçkitje të zonave të banuara në rajonin e Luhanskut.
Në vitin 2016, gjatë një qetësie në armiqësitë në lindje të Ukrainës, një gazetë e pavarur ruse “Novaya Gazeta” publikoi një hetim, duke e quajtur Kishchik një nga shefat e një rrjeti kontrabandë në lindje të Ukrainës. Ai nuk i komentoi asnjëherë akuzat.