Qalaj e pranon se mjekë serbë kanë hyrë në Kosovë: Të gjithë me leje

Para pak minutash, lidhur me situatën aktuale në Kosovë në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka folur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

Qalaj para gazetarëve e ka pranuar se që nga përhapja e pandemisë COVID-19, ka qenë një numër i madh i personelit mjekësor serb që kanë hyrë në Kosovë, mirëpo vetëm me leje, shkruan lajmi.net.

“Me leje, ka hyrë një numër i madh i personelit mjekësor nga Serbia. Asnjë individ mund të them që ka hyrë në Kosovë pa leje”, ka thënë Qalaj.

Tutje, Qalaj ka folur pak edhe për situatën e sigurisë në Kosovë, teksa ka thënë se e njëjta është e qetë duke iu falënderuar edhe qytetarëve.

“Nga aspekti i sigurisë, Kosova është e qetë dhe e sigurtë, duke iu falënderuar edhe qytetarëve tanë. Angazhimet e policisë janë të mëdha. Gjatë ditës ne bëjmë përcjelljen e qytetarëve për në karantinën tek qendra e Studentëve, po ashtu në koordinim me institucionet tjera, mbajmë të izoluara edhe lokacionet që janë të përcaktuara nga institucionet e shëndetësisë. Angazhim i policëve është maksimal”, ka thënë ndër të tjerash Qalaj.