Qentë e Sharrit, heronjtë sypatrembur të kopesë

Qeni i Sharrit është një kujdestar i padiskutueshëm i kopesë, i cili pa ngurrim përleshet me ujqërit dhe artinjtë për të mbrojtur delet dhe bagëtitë e tjera. Kështu i përshkruajnë qentë e tyre disa prej bashkëbiseduesve të Radios Evropa e Lirë.

Në të njëjtën kohë, thonë ata, kjo racë e qenve është shumë besnike dhe shumë e dashur. Këto karakteristika të qenve të Sharrit mund të vlejnë edhe për pronarët e tyre, të cilët deklarojnë se nuk do t’i shisnin qentë e tyre as nëse u ofrohen disa mijëra euro.

Vetë emri i qenit – Qeni i Sharrit – tregon se shtëpia e tij është në Malet e Sharrit, që shtrihen përgjatë kufirit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Qeni i Sharrit karakterizohet me trimëri dhe besnikëri.
Qeni i Sharrit karakterizohet me trimëri dhe besnikëri.

Besohet se qentë e Sharrit janë ndër qentë më të famshëm në Ballkan.

“Heronjtë e patrembur” të kopesë

Barinjtë që e kalojnë verën në Sharr duke u kujdesur për bagëtitë e tyre, tregojnë se kanë qenë dëshmitarë të takimeve të shumta mes qenve të Sharrit dhe ujqërve, apo arinjve. Ata pretendojnë se “qentë tanë të patrembur” kanë shpëtuar qengjat, delet dhe kafshët e tjera shtëpiake.

“Para disa ditësh, një ujk sulmoi një qengj timin, i cili mbeti pak pas kopesë. Disa nga qentë e mi, nga 15 sa kam, shkuan shpejt dhe e përzunë ujkun, duke e shpëtuar qengjin. Raste të tilla ka pasur shumë”, thotë Gafur Doda, një blegtor nga fshati Restelicë, afër Dragashit, komunë në jug të Kosovës.

Një qen i Sharrit duke u kujdesur që bagëtitë të mos sulmohen nga kafshët e egra.
Një qen i Sharrit duke u kujdesur që bagëtitë të mos sulmohen nga kafshët e egra.

Fqinjët e tij, familja Bale, kanë qindra dele të cilat i ruajnë 12 qen të Sharrit.

Pa qentë e Sharrit, thonë ata, nuk do të mund të mbijetonin nga sulmet e kafshëve të egra që u afrohen fshehurazi bagëtive të tyre.

“Ne kurrë nuk i lidhim qentë tanë. Kjo është arsyeja pse delet tona janë të sigurta si ditën, ashtu edhe natën. Ndodh që ujqërit përpiqen të hyjnë në kope dhe të na dëmtojnë. Ka pasur raste të tilla, por qentë e Sharrit janë gjithmonë afër kopesë. Më kujtohet një rast kur qentë tanë mbytën një ujk dhe të tjerët u detyruan të iknin”, thotë me krenari Sakip Bale.

Sakip Bale
Sakip Bale

Krenaria e pronarëve të qenve të Sharrit

Agron Bajrami nga fshati Gornjesellë i Prizrenit, tha se qentë e Sharrit pa menduar përleshen me arinjtë.

“Së fundi, një ari sulmoi kopenë time më pak se një kilometër larg fshatit. Një nga qentë e mi të Sharrit u përlesh me të dhe arriti të largohet pa u lënduar. Vetëm një dele është lënduar lehtë, të tjerët nuk janë lënduar”, thotë Agron Bajrami.

Për pronarët e tyre, qentë e Sharrit janë pjesë e familjes.
Për pronarët e tyre, qentë e Sharrit janë pjesë e familjes.

Edhe babai i Agronit, 80-vjeçari Ramiz Bajrami, mburret me qentë e Sharrit që ka familja e tij.

Ai tregon se si ishte rritur me qentë e Sharrit sepse kujdesej për bagëtinë.

Ramiz Bajrami.
Ramiz Bajrami.

“Ata [qentë e Sharrit] janë si të shtëpisë tonë. Ata e dinë se çfarë duhet të bëjnë vetëm duke më parë mua. Edhe nipi im i do shumë dhe çdo kohë të lirë që ka e kalon me qentë e Sharrit”, thotë ai.

Mujdin Bajra nga Skorobishta e Prizrenit, thotë se qentë e Sharrit mbrojnë me jetën e tyre delet, që ai i ka mbajtur për plot 49 vjet.

“Nga viti 1966 deri më 2015 kam pasur një kope me dhen. Falë qenve të Sharrit, ujku kurrë nuk ka hyrë në tufën time për të më shkaktuar dëme. Gjithmonë i kanë mbrojtur delet”, tregon Bajra.

Mujdin Bajra së bashku me qentë e tij të Sharrit.
Mujdin Bajra së bashku me qentë e tij të Sharrit.

Karakteristikat e qenve të Sharrit

Bujar Zeqiri, veteriner nga Prishtina dhe adhurues i kësaj race qensh, thotë për Radion Evropa e Lirë se qentë e Sharrit janë qen të bukur, inteligjentë dhe të përkushtuar – që nuk u pëlqen të rrinë kot.

Një qen i Sharrit duke ruajtur kopenë.
Një qen i Sharrit duke ruajtur kopenë.

Edhe pse janë qen më të mëdhenj, ai thotë se ata janë të qetë, por kanë nevojë për aktivitet të përditshëm fizik.

Qentë e Sharrit shquhen për inteligjencë, bukuri dhe përkushtim.
Qentë e Sharrit shquhen për inteligjencë, bukuri dhe përkushtim.

Ai thotë se femrat janë disi “më të vogla” dhe peshojnë nga 30 deri në 40 kilogramë, ndërkaq meshkujt mund të arrijnë deri në peshën prej 45 kilogramësh.

Sa i përket gjatësisë, te femrat gjatësia mund të jetë nga 54 deri në 60 centimetra dhe meshkujt mund të kenë gjatësi nga 56 deri në 62 centimetra. Ndërkaq, jetëgjatësia e këtyre qenve është nga 11 deri në 13 vjet.

“Qentë e Sharrit janë qen shumë të shëndetshëm. Displasia e ijëve është sëmundja pothuajse e tyre e vetme. Kjo, në thelb është një anomali e zhvillimit kur pjesa kockore e ijëve nuk forcohet mjaftueshëm nga strukturat mbështetëse si për shembull ligamentet, kyçet ose muskujt”, shpjegon Zeqiri.

Një qen i Sharrit së bashku me dy këlysh.
Një qen i Sharrit së bashku me dy këlysh.

Jeta nuk mund të imagjinohet pa ta

Bajra për rreth 40 vjet ka jetuar dhe punuar në Zvicër, por në fshatin e tij të lindjes, ai gjithmonë kishte disa qindra dele, dhe natyrisht, edhe qen të Sharrit.

Ai tashmë nuk mban dele, por nga qentë e Sharrit nuk ka hequr dorë, pasi siç thotë, i do shumë.

Ai ka ndërtuar për ta strehë moderne në oborrin e tij, të cilat kanë ndriçim natën. Bajra i ushqen qentë e tij të Sharrit vetëm me mish dhe paguan një të ri që të përgatisë ushqimin për qentë e tij.

“E gjithë kjo kushton shumë, por unë i mbaj për shkak të dashurisë dhe asgjë nuk është e shtrenjtë apo e vështirë për mua”, thotë ky 83-vjeçar.

Qentë e Sharrit, sipas pronarëve të tyre, janë shumë të dashur.
Qentë e Sharrit, sipas pronarëve të tyre, janë shumë të dashur.

Ai thotë se nuk mund ta imagjinojë jetën pa qentë e Sharrit.

“Dita ime nis dhe mbaron me qentë. Sigurohem që t’i vizitoj në mëngjes, të eci dhe të luaj me ta. Pastaj, mund të merrem me gjërat e tjera”, thotë Bajra.

Ai shton se mbajtja e qenve të Sharrit është traditë në familjen e tij.

Qentë e Sharrit kryesisht “nuk janë në shitje”

Pronarët e qenve të Sharrit thonë se këta qen janë të shtrenjtë. Ata tregojnë se disa persona janë të gatshëm të paguajnë disa mijëra euro për këtë racë qensh.

“Ne nuk i shesim qentë. Por, një shqiptar nga Tirana erdhi dhe nuk donte të largohej pa ia dhënë të paktën një këlysh. Ne nuk donim, por ai na dha me forcë 2.000 euro për një këlysh rreth tremuajsh. Një tjetër na ofroi 10.000 euro ose një xhip për një qen. Nuk pranuam dhe ai person u largua nga shtëpia jonë i zhgënjyer”, tregon Agron Bajrami.

Dy qen të vegjël të Sharrit. Edhe çmimi i këlyshve të kësaj race qensh është i lartë, thonë pronarët.
Dy qen të vegjël të Sharrit. Edhe çmimi i këlyshve të kësaj race qensh është i lartë, thonë pronarët.

Ndërkaq, Mujdi Bajra tregon me krenari se qentë e tij janë shitur në Mitrovicë, Pejë, Prishtinë, madje edhe në Tiranë. Ai thekson se nuk i shet me çmimin real, që mund të arrijë deri në disa mijëra euro, por me një çmim simbolik prej rreth 300 eurosh.

“I shes vetëm kur jam i sigurt se ai që i blen do të kujdeset mirë për ta dhe do t’i ushqejë mirë. Qentë ua shes vetëm miqve dhe adhuruesve të vërtetë të kësaj race”, thotë Bajra.

Besohet se qentë e Sharrit kanë arritur në këtë pjesë të Evropës gjatë shpërnguljes së barinjve nga Azia dhe Kaukazi.

Pronarët në të shumtën e rasteve ngurrojnë që t'i shesin qentë e Sharrit.
Pronarët në të shumtën e rasteve ngurrojnë që t’i shesin qentë e Sharrit.

Qentë e Sharrit janë agresivë vetëm ndaj kafshëve të egra që sulmojnë bagëtitë. Ata janë qen që e duan lirinë dhe duan ta shijojnë natyrën magjepsëse të Maleve të Sharrit. Personat që e njohin këtë racë qensh, thonë se ata janë shumë të butë me fëmijët dhe duan të luajnë me ta./rel