Nga 180 euro tatim në pronë sa ka paguar për 4 vjet me radhë, sivjet do ta paguajë gati trefishin e saj.
517 euro është fatura e tatimit në pronë që i ka ardhur banorit të lagjes “Mati I”, Alban Ismajlit për këtë vit.
Ai posedon një shtëpi afro 50 metra katrorë dhe 40 ari tokë të trashëguar, por të cilat janë të pashfrytëzuara për shkak se gjenden në vendin ku kalon përroi i Matiçanit, i cili është i mbushur me fekale.
Duke deklaruar se është i rregullt në çdo obligim ndaj shtetit, Ismajli e ka hallin se si do ta paguajë këtë faturë e cila është gati sa dyfishi i pagës së tij.
“Prej 180 euro sa kam paguar për 4 vjet me radhë, sivjet ka ardhur 517 euro për sivjet. Diçka kjo është shumë. Ankesën e kam bërë dje në komunë. Kompania Pastrimi ka bërë një protestë për ngritjen e pagave. Për momentin aty e kam rrogën 330 euro çka është vdekje për mu sepse duhet dy muaj ditë t’i ndaj paret prej rrogës për ta paguar tatimin. Pra gati dy rroga të mijat. Të ardhura tjera nuk kemi vetëm pensionin e nënës”, ka thënë Ismajli.
Sipas Ismajlit, këtë vit toka e tij është vlerësuar shumë, megjithëse ka banorë të tjerë në atë zonë që iu është vlerësuar shumë më pak.
“Më është vlerësuar toka ime 40 ari-350 mijë euro. Ka dikush që ka më shumë tokë dhe ju ka ardhur shumë më lirë. Jemi këtu në të njëjtën lagje, në të njëjtin vend. Kam bërë ankesën ku vlerësimi i tokës më ka dalë shumë i lartë”, ka thënë tutje ai.
Me vlerësimin e ri të pronave, fatura me çmime më të larta kanë pranuar edhe banorët e ndërtesave në këtë lagje.
Mbi 100 euro më shumë se vitin e kaluar i ka ardhur edhe Shaip Sadikut.
“Kush i tha Qeverisë se nuk e dimë si ka ndodhë rritja e tatimit?
Kush i tha Komunës se nuk e dimë si ka ndodhë rritja e tatimit?
Kush ju tha atyre se nuk e dimë se kush i merr të ardhurat nga tatimi në pronë?
Pse nuk po na tregoni pse Ministria se ka bërë vlerësimin e rritjes se çmimeve të artikujve bazë nga 100% deri në 200% dhe konform kësaj të rrisin rrogat e jo tatimin? Nga më të këqijtë janë servilët si të qeverisë si të komunës, sa më parë që ta kuptoni aq më mirë për ju!”, është shprehur Sadiku në një postim në rrjetin e tij social, në “Facebook”.
Përveç “Mati I”, rritje më të madhe kanë pasur edhe lagjet e tjera, si lagjja Qendër, Mahalla e Muhaxherëve, “Emshiri”, “Dardania” e “Arbëria”.
E për këtë ka pasur edhe reagime të shumta drejtuar nivelit qendror e atij lokal.
Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, kjo ka ndodhur për shkak se në të kaluarën janë nënvlerësuar pronat.
“Duhet ta kuptoni që ka pasur edhe raste që me vite të tëra s’kanë qenë të vlerësuara fare nga pushtetet e kaluara. Ose për një shtëpi apo një banesë metri katror ka kushtuar 800-900 euro, është vlerësuar 300-400 euro, që ka qenë nënvlerësim. Po ashtu, ka ndodhur në të kaluarën që toka që është vlerësuar për tatim në pronë në vlerë 100 euro ari, kur ka ardhur çështja te shpronësimi, është shpronësuar me 10 mijë euro ari. Kjo shpërputhje nuk mund të vazhdoj më”, ka thënë Murati.
Ndërsa komuna ka thënë se kryeqyteti nuk ka pasur asnjë ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë.
“Kryeqyteti e ka caktuar përqindjen më të ulët të mundshme të tatimit në pronë. Norma më e ulët e lejuar është 0.15% e shumës së përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, norma nuk ka ndryshuar nga viti i kaluar. Prandaj, ju sigurojmë se Kryeqyteti nuk ka pasur asnjë ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë, por rritja ka ardhur si pasojë e ri-vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave”, thuhet në një njoftim të Komunës së Prishtinës.
Departamenti i Tatimit në Pronë, në kuadër të Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2022 ka kryer vlerësimin e përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, si dhe ka përpiluar raporte të vlerësimit për pronat rezidenciale më datë 31.10.2022.
Sipas kësaj ministrie, gjatë vlerësimit të pronave rezidenciale, Departamenti i Tatimit në Pronë ka bashkëpunuar ngushtë me komunat për të përcaktuar çmimin për m2 për objekte dhe toka.