Radhë autobusësh nga Shqipëria për në Brezovicë

Dhjetëra autobusë dhe furgona me qytetarë nga Shqipëria, me destinacion Brezovicën dhe Prevallën, dy pika turistike dimërore ndër më të vizituarat në Kosovë, janë regjistruar këtë të shtunë në doganën e Vërmicës, në hyrje të kufirit Shqipëri-Kosovë.

Qytetarët që vijnë, sidomos nga Tirana dhe pjesa jugore e Shqipërisë, pëlqejnë atmosferën, borën dhe natyrën që ofrojnë këto dy pika turistike, raporton A2 CNN.

Por drejtues të agjencive turistike shprehen të pakënaqur me mungesën e menaxhimit dhe mosrespektimin e disa rregullave nga Policia e Kosovës, në një kohë kur numri i vizitorëve nga Shqipëria në Prevallë dhe Brezovicë gjatë dhjetorit të kaluar dhe në janar të këtij viti ka shënuar një rritje të ndjeshme.