Radoiçiq merr përgjegjësinë për sulmet në Banjskë

Avokati i Milan Radoçiqit në një adresim për media ka lexuar letrën në të cilën Radojçiq ka pranuar se  të dielën e 24 shtatorit ka qenë në veri të Kosovës, ku u krye sulm terrorist dhe një rreshter i Policisë mbeti i vrarë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Radojçiq në këtë letër pretendon se për “kthimin” në Kosovë nuk kanë qenë në dijeni as autoritetet në Qeverinë e Serbisë, dhe as strukturat lokale në veri të Kosovës, e as nuk ka marrë “ndonjë ndihmë” prej tyre.

Ai thotë se e bëri këtë për të nxitur popullin serb të ngrihet në kundërshtim të siç thotë ai “terrorit të Kurtit.

Në letër ai thekson se vrasja e policit të Kosovës ka qenë “aksidentale”, pas së cilës ka nisur “një përleshje e ashpër nga të dyja palët”.

Radojiçiq njofton se ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit në Listën Serbe.

“Unë Milan Radoiçiq, për shkak të spekulimeve të shumta që kanë dalë informoj tërë publikun se bashkë me bashkëpunëtorët e mi nga Kosova më 24 shtator kam ardhur në veri të Kosovës, në fshatin Banjskë. Arsyeja e kthimit tonë ishte ta shtyjmë popullin tonë në rezistencë ndaj terrorit të Kurtit, ta mbrojmë popullin tonë që po nënshtrohet atij terrori për çdo ditë dhe krijimin e kushteve për lirimin e popullit tonë në veri të Kosovës. I njoftoj të gjithë, nga Kurti deri te ndihmësit e tij ndërkombëtarë se personalisht jam pajisur  me pajisjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë nga okupatori dhe qëllimi im nuk kishte kurrfarë qëllimi tjetër dhe nuk ka kurrfarë lidhje me angazhimin tim politik paraprak. Për këtë nuk e kam informuar askënd as nga strukturat e Qeverisë së Serbisë dhe as nga strukturat lokale në veri të Kosovës dhe as nuk kam pasur nga ta asnjë ndihmesë, sepse deri atëherë kemi pasur pikëvështrime të ndryshme sa i përket rezistencës ndaj terrorit të Kurtit. Disa herë jemi tërhjekur pa rezultatet e duhura sepse na është thënë sepse në atë mënyrë do t’i shërbejmë deeskalimit dhe që KFOR  dhe bashkësia ndërkombëtare do të ndërmarrin krejt çka është e nevojshme që të mbrojnë popullin serb. Megjithatë, qetësimin e situatës nga ana jonë, pala tjetër nuk e ka kuptuar si vullnet të mirë dhe krijimin e kushteve për bisedime, por si dobësi. Si rezultat i kësaj nga dita në ditë janë rritur aktivitetet e forcave të Kurtit të cilat në mënyrë jolegjitime kanë okupuar veriun e Kosovës, duke qëlluar dhe maltretuar civilët, arrestimet pa asnjë arsye dhe demonstrimi i forcës ndaj popullit serb. Në një atmosferë të tillë kam vendosur për këtë akt sepse Kosova e Metohija është vendi im, shtëpia ime, dhe populli serb po përndjekjet me qëllim të caktuar që veriu të spastrohet etnikisht. Kemi qenë të detyruar që të mbrojmë jetët e bashkëqytetareve tanë dhe t’i tregojmë Qeverisë së Kurtit dhe bashkësisë ndërkombëtare se këtë terror të Kurtit populli serb nuk e duron.

Vdekja e policit ndodhi aksidentalisht, pas së cilës filloi një përleshje e ashpër nga të dyja anët, ku mbetën të vrarë tre bashkëluftëtarët tanë – heronj, të cilët dhanë jetën për lirinë dhe ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë. Sakrifica e tyre fisnike nuk do të harrohet kurrë. Le të jetë e qartë për të gjithë se ne nuk jemi terroristë, por luftëtarë për lirinë e popullit tonë”, thuhet në letrën e tij.

I pyetur nga gazetarët avokati i Radoiçiqit mohon se i njëjti ka mbetur i plagosur të dielën e 24 shtatorit.

Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pa u liruan.

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Dy ditë pas sulmit, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, publikoi pamje nga droni gjatë aksionit të Policisë në Banjskë, e në të cilën Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, e që është edhe pjesë e Listës së Zezë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar.