Një rafineri e madhe ruse e naftës në Detin e Zi është goditur për herë të tretë këtë muaj nga dronë ukrainas, duke shkaktuar një “zjarr masiv” dhe duke detyruar evakuimin e banorëve që jetojnë pranë.
BBC shkruan sulmet e mëparshme gjatë dy javëve të fundit në rafinerinë e Tuapses shkaktuan një derdhje të madhe nafte në det, ndërsa banorët raportuan për një “shi të zi” mbi qytet, që la mbetje vajore kudo.
Kremlini akuzoi Ukrainën se po “rrit më tej mungesën e naftës në tregjet globale të energjisë… dhe po provokon destabilizim të mëtejshëm”.
Ushtria ukrainase konfirmoi sulmin e fundit me dronë, duke theksuar se rafineri të tilla ndihmojnë në financimin e pushtimit të plotë të nisur nga Rusia në vitin 2022.
Më shumë se 160 zjarrfikës u angazhuan për shuarjen e flakëve, tha guvernatori i rajonit të Krasnodarit, Veniamin Kondratyev, të martën. Nuk raportohet për viktima.
Në një postim në Telegram, Kondratyev tha se ekipet e emergjencës po punonin në “kushte jashtëzakonisht të vështira”, duke i cilësuar përpjekjet e tyre si “heroizëm i vërtetë”.
“Prioriteti ynë kryesor është ruajtja e jetës dhe shëndetit të banorëve dhe vizitorëve të qytetit,” shtoi ai.
Kreu i distriktit lokal, Sergei Boyko, u kërkoi banorëve të zonave përreth të largohen, ndërsa raportohet se është ngritur një qendër e përkohshme evakuimi në një shkollë.
Ndërkohë, qendra rajonale e krizave paralajmëroi se “për shkak të zjarrit të madh, në atmosferë po çlirohen lëndë djegëse”.
Banorët u këshilluan të mbajnë maska, të shpëlajnë hundën, sytë dhe fytin, si dhe të mbajnë dritaret mbyllur dhe të kufizojnë qëndrimin jashtë.
Një gazetare e zonës, Anastasia Troyanova, përshkroi “një re të madhe tymi të zi mbi qytet, me erë djegëse”.
Në Moskë, presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi ministrin e emergjencave të udhëtonte urgjentisht në Tuapse për të mbikëqyrur operacionet e shuarjes së zjarrit dhe pastrimit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Ukraina kishte goditur depo nafte të destinuara për eksport, duke e akuzuar Kievin për destabilizim të tregjeve globale të energjisë.
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…
Ish deputeti i PD, Edmond Spaho ka reaguar ashpër për protestën kundër investimit në Zvërnec,…
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar se do të marrë pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor…
Katy Perry do të jetë njëra prej këngëtareve kryesore që do të përformojë në Festivalin…
Një efektiv i Policisë së Shtetit u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një…
Autori i vrasjes së një polici dhe plagosjes së një efektivi tjetër mëngjesin e sotëm…