Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka reaguar sot kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, pasi që ky i fundit i ka përsëritur mbrëmë akuzat ndaj tij për ndarjen e Kosovës.
Kryeministri shqiptar, Rama në një reagim për Top Channel ka deklaruar se Haradinaj e ka kthyer shpifjen në pushkë që kur e ka lënë pushkën.
Ai thotë se për këto shpifje nuk mund të bëjë asgjë më shumë se sa ta ftoj në Gjykatën e Kosovës.
“Ramushi e ka kthyer shpifjen në pushkë qëkur ka lënë pushkën! Por nëse për pushkën i’a kam bëre të gjitha nderimet e mundshme dhe të merituara, për shpifjet nuk mund t’i bëj asgjë tjetër përveçse ta ftoj në gjykatën e Kosovës që t’u dalë për zot atyre që ka nxjerrë nga goja! Sepse ndryshe nga Ramushi dhe nga ai soj politikanësh qe s’kanë fijen e respektit as për fjalën, as për të vërtetën, as për publikun, unë nuk ulem dot në nivelin e shpifësit publik për ta luftuar bërllokun me berllog! Pafytyrësi nuk është të shkosh në gjykatë për t’u mbrojtur nga një shpifës që të ka cenuar publikisht dinjitetin, po të përdoresh kanalet e komunikimit publik për të shpifur në mënyrë të përsëritur”, thotë Rama.
Kryeministri shqiptar ka deklaruar se Haradinaj po tenton që të manipulojë opinionin publik me fabrikime të paqena.
“Nuk është akt i turpshëm t’i nënshtrohesh gjykimit të drejtësisë si viktimë e një shpifësi që të sulmon si tradhtar të kombit me fabrikime të ulëta, po turp është të bësh agresorin ndaj dikujt tjetër për të manipuluar opinionin publik duke fabrikuar gjëra krejt të paqena!
E vërteta është se unë kam dashur ta ndaj Kosovën, po aq sa ç’ka dashur Ramushi ta ndajë Princ Harryn nga Familja Mbretërore! Shkurt fjala, komandanti i djeshëm i UÇK-se Ramush Haradinaj, e ka merituar dhe do ta ketë për gjithë jetën respektin tim, për gjithçka i ka dhënë kauzës së lirisë së Kosovës, ndërsa politikani i sotëm Ramush Haradinaj, meriton vetëm keqardhjen time për bërllokun politik e gjuhësor ku ushtron veprimtarinë dhe pushtetin e tij”, thotë ai.
Edi Rama ka shtuar se politika e Ramush Haradinajt e ka dëmtuar Kosovën dhe i ka thënë avantazh Serbisë në arenën ndërkombëtare.
“Është dëshpëruese kur sheh se si politika qorre e Ramushit e ka dëmtuar keq Kosovën në sytë e miqve të saj të mëdhenj dhe i ka dhënë Serbisë një avantazh te vazhdueshëm në arenën ndërkombëtare në raport me Kosovën. Uroj që padia ime të vlejë për t’u hapur sadopak sytë atyre që kanë rënë pre e bërllokut politik e mediatik të Prishtinës e të Tiranës”, ka deklaruar ai.
Ndryshë, mbrëmë Haradinaj nga Tirana nuk është tërhequr nga deklarimet e tij se Rama ka qenë pjesë e idesë për shkëmbim me territore. Për këto deklarata ditë më parë kryeministri shqiptar e ka paditur Haradinajn.