Kryetari i porsazgjedhur i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ishte kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se kundër-kandidati i tij, Arben Vitia nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, e ka telefonuar për t’ia uruar pozitën e re, ndërkohë që i njëjti ka shprehur dëshirën për bashkëpunim.
“Zotëri Vitia më ka telefonuar dhe i falënderohem shumë dhe më ka thënë se është i gatshëm që të bashkëpunojë në çfarëdo aspekti, të më ndihmojë në punën e madhe që na pret për të mirën e të gjithë qytetarëve” , ka thënë Rama në një intervistë për Klan Kosova.
Madje, i zgjedhuri për të parin e Prishtinës, është zotuar se në përzgjedhjen e ekipit të tij nuk do të ketë korniza aktuale, duke theksuar se do të shoh përtej partive politike, ndërsa nuk ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me partitë e tjera, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.
“Do të shikojmë CV-të dhe do të zgjedhim njerëz profesionist, nuk ka lidhje nga cila parti janë, unë kam qenë shumë i hapur për këtë çështje, sepse kundërshtari ynë këtu është kaosi i qytetit, pra nuk janë partitë politike dhe duhet t’i zgjedhim njerëzit më të mirë, pavarësisht se prej nga vijnë ata.
“Kjo është betejë kundër kaosit urban dhe ne si qytetarë të Prishtinës duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet të cilat i kemi përtej partive politike në të mirën e qytetarit dhe këtë do ta bëjmë”, ka thënë Rama.
Sipas Ramës do të kishte qenë zgjedhje e gabuar nëse në postin të cilin ai e fitoi në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, të vinte një person “i cili nuk ka pasur kohë që t’i analizojë problemet e kryeqytetit dhe të gjejë zgjidhje për to”.
“Mendoj se qytetarët kanë vlerësuar drejt. Unë tash e 17 vite merrem me çështje të problemeve urbane të Prishtinës dhe ofroj propozime për zgjidhje të ndryshme, përveç që duhet ta duash atë që do duhet ta kuptosh ne thelb”.
“Po ashtu edhe kohëve të fundit domethënë që gjashtë muaj, duhet të merresh me çdo problem në detaje dhe do të ishte e gabuar të zgjidhej dikush që ndoshta nuk ka pasur mundësi që në aspektin kohor tu qaset problemeve në detaje vetë”, ka thënë ai.
Mes tjerash, Rama, ka theksuar se projektet e tij kanë potencialin të realizohen me dhe pa mbështetjen e nivelit nacional, duke shtuar se përkundër të gjithave, beson në një bashkëpunim të mirë me Qeverinë Kurti.
“Projektet në programin tim mund të bëhen edhe brenda buxhetit të komunës, mirëpo unë e kam paraqitur si paralele që ne për këto projekte kemi qasje edhe në fondet e IPA-s, pra në fondet e BE-së të cilat janë të dedikuara për shtete në zhvillim siç është Kosova”.
“Mendoj se qeveria nuk ka asnjë arsye të mos na përkrahë, por nëse nuk na përkrahin, vetëm po them nëse, sepse nuk besoj që nuk na përkrahin, por nëse jo atëherë ne si qeveri lokale kemi qasje në fonde si ato të BERZH-it, të Bashkimit Evropian”, ka shtuar ai.
Gjithashtu, Përparim Rama, ka treguar publikisht se gëzon miqësi me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin, ndërsa ka thënë se i njëjti nuk e ka telefonuar akoma për ta uruar për postin e ri si i pari i kryeqytetit.
“Jo ende, por me siguri që do të më thërras edhe zotëri Kurti, do të kemi takim, ai është kryeministër i Kosovës, i shtetit dhe unë kryetar i kryeqytetit, gjithsesi që do të kemi takim, unë zotërinë Kurti e njoh para shumë kohësh, njihemi moti dhe nuk kam asnjë arsye të besoj se nuk do të kemi bashkëpunim, e kam mik, shok” , ka shtuar ai.
Përparim Rama, fitoi garën si kandidat për kryetar të kryeqytetit, duke mundur kundër-kandidatin e tij nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitinë.
Ai, timonin për qeverisje si i pari i Prishtinës e mori duke siguruar 40 mijë e 659 vota apo 51.07 për qind të totalit të votave.
Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Përparim Rama, i cili do ta udhëheqë Prishtinën për katër vitet e ardhshme, ka arritur të grumbullojë një mijë e 701 vota më shumë se kundër kandidati i tij, Arben Vitia.