Ramush Haradinaj e dëshpëron Çun Lajçin: Prej teje s’e prisja, prej Kadrisë e Isës po!

Kryeminstri në detyrë Ramush Haradinaj, ka konfirmuar sonte se AAK-ja, nuk do ta votojë Qeverinë e Albin Kurtit në seancën për formimin e saj të hënën.

Me këtë qëndrim të tij nuk po pajtohet aktori Çun Lajçi, përcjell Bota sot.

Lajçi ia ka kujtuar Haradinajt se si e kishte lutur të recitonte në shesh për të dhe Albin Kurtin kundër Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit në “luftën” për Çakorrin.

Ai poashtu ia ka kujtuar Haradinajt edhe ditën kur e kishte lutur atë që t’i thoshte Behgjet Pacollit, që ta votonte qeverinë e tij.

“Po qata serbë janë bre Ramush me t’cilët ti bashkëpunove dhe i pate ministra e zëvendësa! A mos po koritesh pak, apo ndoshta duke ëndërruar se LDK- ja e ben Qeverinë me ty! Me dëshpërove Gjeneral i Dukagjinit, më dëshpërove!”, ka shkruar aktori në postim në Facebook.

Postimi i plotë:

E kam nji fjalë me ty e për ty.

Sonte u deklarove i qetë e krenar që s’do ta votosh Qeverinë Kurti!

Unë prej teje s’e prisja, prej Kadrisë e Isës po!

A po m’pyet pse? Qe po t’kallxoj.

M’ke thirrë me recitua për Ty e Albinin n’shesh kundër Ises e Hashimit kur luftojshim për Çakorrin. Aty ishe njifjale me Albinin!

A t’kujtohet?

A t’tkujtohet pastaj ajo dita n’terasën e Swiss Diamondit kur m’lute me shku me i thanë Pacollit, bahu me Ramushin që t’votohet qeveria e tij bre!

A t’kujtohet pastaj dita kur n’Parlament e prite 6 orë Listën serbe me ardhë prej Beogradit me t’votu, se ndryshe nuk zgjedheshe, edhe pse VV-ja votuen për ty, kurse tani ti s’po dojke me e votu Kurtin me Listen serbe.

– Po qata serbë janë bre Ramush me t’cilët ti bashkpunove dhe i pate ministra e zëvendësa!

A mos po koritesh pak, apo ndoshta je tue andrrua se LDK- ja e ban Qeverinë me Ty!

Me dëshpërove Gjeneral i Dukagjinit, më dëshpërove!