Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar për Gazetën Express se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe pas konstituimit të Kuvendit, ai do ta dorëzojë mandatin në Kuvend.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i ka thënë sot Gazetës se ai nuk do të jetë deputet në Kuvendin e Kosovës.
Partia e kryeministrit në detyrë bashkë me PSD’në, sipas rezultateve preliminare, kanë dalë të katërtit në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, duke fituar 11.57 për qind.
Akoma nuk kanë dalë rezultatet e plotë me votat e deputetëve, mirëpo nga ato që kanë rrjedhur nga Komisionit Qendror Zgjedhor, është parë se Haradinaj si bartës i listës, ka mijëra vota në qytete të ndryshme.
Haradinaj nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së shtatë, ndërsa edhe më parë ai ishte larguamr nga Kuvendi.
Në shkurt të vitit 2016, kreu i Aleancës kishte dhënë dorëzuar mandatin e tij të deputetit pas paknaqësive që atëkohë kishte me punën e këtij institucioni.
“Duke e parë se Kuvendi i Kosovës, është shndërruar në një institucion për mbulesën e shkeljeve kushtetuese që i ka bërë qeveria; duke e parë se Kuvendi është shndërruar në një vend ku deputetët me urdhër politik, tërhiqen zvarrë nga policia; dhe duke e parë përjashtimin arbitrar të deputetëve të Opozitës nga Kuvendi, jap dorëheqje të parevokueshme nga mandati i deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” arsyetonte Haradinaj largimin e tij.
Prej shtatorit 2017 deri në korrik të këtij viti, kur ai dha dorëheqje, Haradinaj udhëhoqi Qeverinë nga zgjedhjet e fituara në koalicion me PDK’në dhe Nismën.