Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u rizgjodh edhe për një mandat katërvjeçar në krye të partisë.
Lulëzim Blaka nga Departamenti për informim dhe marrëdhënie me publikun në AAK, i tha KosovaPressit, se në total ishin 528 delegatë që kanë marrë pjesë në votim, ku prej tyre 518 vota ishin pro, 2 kundër, 3 abstenime dhe 5 të pavlefshme.
Ndërkohë, bëhet e ditur se po vazhdon numërimi i votave për Këshillin e Përgjithshëm të AAK-së.
Pas rizgjedhjes, Haradinaj shkroi në Facebook se është i kënaqur me frymën e unitetit brenda Kuvendit të AAK-së, duke shtuar se të dielën u morën disa vendime të rëndësishme “që do të kenë efekt të jashtëzakonshëm të jetën politike, jo vetëm të Aleancës”.
“Asociacioni i komunave të Aleancës, depërtimi i organizimit tonë në çdo vendbanim të Kosovës dhe trupat e ekspertëve në fushat më të rëndësishme, janë përgjigja më e mirë e Aleancës ndaj oportunistëve dhe populistëve në skenën politike të këtij vendi”, shkroi Haradinaj.