Rasti “Toka”, dëshmitari thotë se ka një kontratë ku pronën e familjes së tij e kishte shitur Azem Syla

Dëshmitari Vladimir Nikoviq, në seancën e së enjtes në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka thënë se është një kontratë sipas së cilës pronën e familjes së tij, e kishte shitur i akuzuari Azem Syla.

Këtë deklarim, dëshmitari Nikoviq e dha në gjykimin ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Azem Syla dhe të tjerëve, të cilët po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar, në rastin e njohur si “Toka”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Nikoviq ka thënë se Habib Caka kishte filluar punimet në tokën e tij, e më pas i njëjti kishte prezantuar një kontratë të vërtetuar nga gjykata, ku shitës i tokës kishte qenë i akuzuari Azem Syla,

“Nuk e ka blerë nga ne, ai na ka prezantuar njëfarë kontrate që e ka ble nga dikush, më duket Azem Syla dhe e ka pas një kontratë të vërtetuar në gjykatë dhe më ka thënë që këtë e ka paguar 370 mijë euro me sa më kujtohet”, ka thënë dëshmitari.

I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Syla, avokati Besnik Berisha, se a është i sigurt se Caka i ka thënë se pronën e ka blerë nga Azem Syla dhe jo dikush tjetër, dëshmitari Nikoviq tha se është i sigurt për përgjigjen e tij.

Tutje, i pyetur nga avokati Berisha se a beson që Habib Caka i ka thënë të vërtetën për këtë rast, dëshmitari tha se nuk e di, por gjykatës i ka thënë fjalët të cilat ai i ka deklaruar.

Ndryshe, në cilësi të dëshmitarëve në seancën e sotme janë deklaruar edhe Mexhid Syla, Gordane Steviq dhe Enver Qoqaj.

Dëshmitarët Syla dhe Steviq thanë se qëndrojnë pranë deklaratave të tyre të mëparshme, dhe se nuk kanë asgjë çfarë të shtojnë lidhur me këtë çështje.

Ndërkaq, dëshmitari Qoqaj ka deklaruar se përmes të akuzuarit Shaban Syla, ka blerë tokë nga Ilaz Syla, i cili po ashtu akuzohet për këtë çështje.

“18 ari i kam ble, i kam ble nga Ilaz Syla, më duket se 61 mijë euro e kam ble”, ka thënë Qoqaj.

Kurse, i pyetur nga prokurori Naim Abazi, se si ka kontaktuar me Ilazin, dëshmitari Qoqaj tha se të gjitha bisedat i ka bërë më të akuzuarin Shaban Syla.

Paraprakisht, në seancën e sotme është bërë veçimi i procedurës për të akuzuarin Fahredin Gashi, pasi që në seancën e kaluar ishte caktuar të përpilohet një ekspertizë psikiatrike për të njëjtin dhe eksperti ka konstatuar se i ai nuk është në gjendje të përcjellë shqyrtimin gjyqësor.

Seancat e radhës për ketë çështje u caktuan të mbahen më 18 dhe 20 janar 2023.

Ndryshe, në seancën e 10 qershorit 2022, Azem Syla dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U., Sh.M., Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Por, gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.