Pas deklaratave të emisarit të Presidentit Amerikan në bisedimet Kosovë-Serbi, ambasadorit Richard Grenell, ka reaguar kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Grenell ka thënë gjatë një interviste për media se Albin Kurti gjatë takimit i kisthe premtuar heqje të taksës.
“Ai më shikoi në sy dhe tha se ata do ta largojnë taksën”, ka thënë Grenell. Sipas tij, është qëndrim i Shtetet e Bashkuara se “taksa prej 100 për qind që është zbatuar para z. Kurti ka qenë duke i dëmtuar ekonominë dhe popullin e Kosovës më së shumti. Prandaj, për ne nuk ka kuptim që të ketë politika që janë duke e dëmtuar ekonominë, që nuk i lejojnë bizneset të lëvizin përpara dhe të krijojnë vende pune. Kjo i prek të rinjtë që duan vende pune dhe kur politikat e dëmtojnë vetë ekonominë, nuk duhet të pritet nga ne, Shtetet e Bashkuara, që të vazhdojmë t’i përkrahim politikat që janë duke i dëmtuar njerëzit dhe aktivitetin e krijimit të vendeve të punës”, ka thënë Grenell.
Ndërsa, Kurti me anë të një postimi ën Facebook, ka treguar se sa herë është takuar me Grenellin, dhe çfarë i kishte thënë.
Kurti thotë se u takua dy herë me Grenellin, e ka shikuar në sy por asnjëherë nuk i ka thënë që do ta heqin tarifën.
Postimi i plotë:
Me ambasadorin amerikan në Berlin, z. Richard Grenell, jam takuar dy herë. Takimi i parë ishte më 9 tetor 2019, në ora 13:45, në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë. Takimi i dytë ishte më 23 janar 2020, në ora 10:30, në selinë qendrore të LVV. Në takimin e parë me mua ishte z. Glauk Konjufca. Në takimin e dytë me mua ishin z. Glauk Konjufca dhe znj. Fitore Pacolli-Dalipi. Të dy herët, z. Grenell e kam shikuar në sy. Por, asnjëherë nuk i kam thënë që do ta heqim tarifën 100% pa reciprocitet. Është për t’u përshëndetur dhe inkurajues deklarimi i qartë i sotëm i Ambasadorit Grenell kundër planeve për shkëmbim territorial.