“Reporterët Pa Kufij” publikojnë raportin: Shqipëria, e fundit në rajon për lirinë e shtypit

Organizata “Reporterët Pa Kufij” ka publikuar raportin vjetor në lidhje me gjendjen e lirisë së shtypit në botë ku ka shprehur shqetësimin për kërcënimin që ajo po merr nga politika.

Në indeks vërehet se mungesa e vullnetit politik për mbrojtjen e të drejtave të medias po përshpejton rënien e lirisë së saj.

Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit duke e renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Europian.

Në Indeksin që përfshin 180 vende, ajo radhitet në vendin e 99-të. Kosova radhitet e 75-ta.

Organizata “Reporterët Pa Kufij” vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri është i vështirë. Ajo ka humbur tre vende krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta.

“Në Shqipëri, pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullat me frymë partiake. Gazetarët bien viktima të krimit të organizuar dhe hera herës të dhunës policore, e nxitur nga dështimi i qeverisë për mbrojtjen e tyre”.

Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”. Ajo radhitet e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar, kur u listua e 56-ta.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballur me rënie të lirisë së shtypit, përveç Maqedonisë së Veriut, e cila ka shënuar përmirësim duke u renditur e 36-ta.

Norvegjia renditet e para për të tetin vit radhazi, ndërsa tre vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të lirisë së shtypit në botë janë Afganistani, Siria dhe Eritrea.