Kërcënimet shumëvjeçare të udhëheqësve të entitetit Republika Sërpska të Bosnjë dhe Hercegovinës, për shkëputje dhe për ndarje të vendit, mbase kanë filluar të zbatohen në praktikë.
Institucionet e Republika Sërpskës në periudhën e fundit kanë marrë vendime që, nga zyrtarët tjerë, nga ekspertët dhe nga komuniteti ndërkombëtar, janë parë si kërcënim ndaj rendit kushtetues të vendit.
Cilat janë vendimet?
Në mesin e muajit tetor, presidentja e Republika Sërpskës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Zheljka Cvijanoviq, lëshoi një dekret, ku tha se në këtë entitet janë të pavlefshme ndryshimet e bëra në Kodin Penal, që kriminalizojnë mohimin e gjenocidit dhe të krimeve të tjera. Këto ndryshime ishin miratuar nga ish-Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Valentin Inzko.
Dekreti për dy ligje u botua në Gazetën Zyrtare të Republika Sërpskës. Ligji i parë i referohet moszbatimit të ligjit të miratuar nga Inzko në Republikën Sërpska, ndërsa i dyti i referohet ndalimit “të nënçmimit dhe talljes” së Republikës Sërpska. Në fund të korrikut, Inzko miratoi ndryshimet në Kodin Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës, ku kërkohet që të dënohet mohimi i gjenocidit dhe i krimeve të tjera, të dënuara nga gjykatat vendëse dhe ndërkombëtare.
Vendimi i Përfaqësuesit të Lartë ishte refuzuar nga Kuvendi i entitetit.
Përfaqësuesit e këtij kuvendi gjithashtu miratuan edhe Ligjin për ndryshimet në Kodin Penal të Republikës Sërpska, të cilat do të dënonin këdo që e akuzon Republikën Sërpska si një ‘krijim gjenocidal’.
“Kjo është goditja më e drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit”, tha Bakir Izetbegoviq, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, pas vendimit të autoriteteve të Republikës Sërpska.
“Kodi Penal i Bosnjës dhe Hercegovinës nuk mund të sfidohet dhe të kundërshtohet me asnjë dekret të ndonjë entiteti, pasi gjithçka tjetër është e pazbatueshme. Unë nuk e di që ky dekret është i vlefshëm, dhe mendoj se Zyra e Prokurorit të Bosnjës dhe Hercegovinës duhet të vazhdojë të bëjë punën e saj”, tha Qamil Durakoviq, anëtar i Kuvendit Komunal të Srebrenicës, për Radion Evropa e Lirë.
Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska të Bosnjës dhe Hercegovinës miratoi të mërkurën një ligj për produktet dhe pajisjet mjekësore. Me ligjin e ri, parashihet formimi i Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Mjekësore i Republikës Sërpska. Sipas ligjit, Agjencia do të jetë “organizatë e pavarur administrative, dhe do të ketë statusin e një entiteti juridik”.
Krijimi i një agjencie të tillë nuk është në përputhje me Kushtetutën e Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila ka dalë nga Marrëveshja e Dejtonit.
Agjencia për Barna dhe Pajisje Mjekësore e Bosnjës dhe Hercegovinës është themeluar në vitin 2009.
Ajo është organi i vetëm rregullues që funksionon në nivel shtetëror, dhe që ka marrë përsipër shumicën e detyrave të sektorit të farmacisë, të cilat deri më 2009 janë kryer nga entitetet.
Agjencia është krijuar pasi Asambleja Parlamentare e Bosnjës dhe Hercegovinës ka miratuar Ligjin për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore.
Ligji për Barnat, i cili është i domosdoshëm për punën e Agjencisë, mund të ndryshohet vetëm në Asamblenë Parlamentare të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Reagimet e komunitetit ndërkombëtar
Ambasada Amerikane në Bosnjë dhe Hercegovinë tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të përdorin të gjitha sanksionet që kanë në dispozicion, kundër atyre që dëmtojnë ose që lehtësojnë minimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit”.
Por, sipas ambasadës, masat e mundshme amerikane nuk janë zëvëndësim për përgjegjësinë që kanë të gjithë krerët e Bosnjës dhe Hercegovinës, për të refuzuar veprimet destabilizuese, dhe që në vend të kësaj të punojnë përmes institucioneve për të përmirësuar funksionalitetin.
Ndërkaq, delegacioni i BE-së i tha REL-it se “miratimi i Ligjit për ilaçet dhe pajisjet mjekësore në Republika Sërpska është një hap drejt rrezikimit të sigurisë ligjore dhe të hapësirës së vetme ekonomike në Bosnjë dhe Hercegovinë, me pasoja negative për bizneset dhe për qytetarët në të ardhmen”.
Përfaqësuesi i ri ndërkombëtar në Bosnjë dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, tha të mërkurën se “Ligji i Republikës Sërpska për Produktet dhe Pajisjet Mjekësore përbën një sfidë serioze për kompetencat dhe për funksionimin e duhur të Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore të Bosnjës dhe Hercegovinës”.
“Sipas Kushtetutës së Bosnjës dhe Hercegovinës, entitetet janë të detyruara që t’i respektojnë plotësisht Kushtetutën dhe vendimet e institucioneve shtetërore”, tha Schmidt.
Më herët, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u bënë thirrje të gjitha palëve në Bosnjë dhe Hercegovinë që t’i respektojnë institucionet shtetërore.
SHBA-ja dhe BE-ja shprehën shqetësim në lidhje me “retorikën përçarëse” në këtë vend.
Në një deklaratë të përbashkët të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe të Shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, thuhet se “SHBA-ja dhe BE-ja qëndrojnë bashkë në mbështetjen e tyre të fuqishme për integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe në angazhimet për të promovuar reforma kushtetuese dhe zgjedhore, si dhe ruajtjen e funksionalitetit të institucioneve të saj shtetërore”.
Blinken dhe Borrell, të cilët u takuan javën e kaluar në Uashington, gjithashtu thanë se SHBA-ja dhe BE-ja kanë rënë dakord të forcojnë më shumë angazhimin e tyre të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, në mbështetje të përparimit të rajonit në rrugën e tij evropiane.
Si funksionon Bosnja dhe Hercegovina
Si shtet, Bosnja dhe Hercegovina përbëhet nga dy entitete të formuara pas luftës së viteve 1992-95 – nga Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, e banuar kryesisht nga myslimanë dhe kroatë, dhe nga Republika Sërpska, e banuar kryesisht nga serbë të Bosnjës.
Kushtetuta e këtij vendi buron nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, e cila i dha fund luftës. Ajo ndalon cilindo nga dy entitetet e vendit që të krijojë një agjenci që minon punën e organeve federale./REL