Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka publikuar një video të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke folur me një nga terroristët serbë që sulmuan Banjskën e Zveçanit më 24 shtator të këtij viti.
Rrustemi videon e ka shpërndarë në ‘Facebook’, teksa ka shkruar se personi me të cilin bashkëbisedonte Vuçiq është Vladimir Radojeviq, me nofkën “Mami”. Sipas Rrustemit, Vuçiq e konfirmon në video se e njeh atë.
“Me 13 tetor 2021, disa serbë kishin shkruar t’i rrefehesin Vuçiqit për kinse terrorin që Qeveria e Kosovës po i bënte atyre. Ndër ta që u rrëfyen ishte edhe Vladimir Radojevic i njohur me nofkën “Mami’’”, thuhet në postimin e tij.
“Në videon më poshtë shihni momentin pasi flet ‘’Mami’’ (personi me flokë të gjata) flet një tjetër person, atij Vuçiq i kërkon të prezentohet. Atë (Mamin) e njoh, ndërkaq këtë jo, thotë Vuçiq. Çka tregon se ai ka lidhje direkte e personale me këta individë”, thotë më tej Rrustemi.
“‘’Mami’’ përveçse i njohur gjatë gjithë këtyre viteve për luftimin që i ka bërë rendit juridik dhe kushtetues në veri, në sulmin terrorist në Banjskë i është gjetur telefoni i tij mu në vendin ku është ekzekutuar shpërthimi i minës që la të vdekur heroin, policin e Kosovës, Afrim Bunjaku”.