Joern Rohde thotë se do të jetë ambasadori i fundit gjerman i cili do të pyetet për liberalizimin e vizave.
“Po, unë jam i fundit”, deklaroi ai në një intervistë ekskluzive dhënë për Klan Kosovën.
Madje, ai është optimist se kosovarëve do t’iu hiqen vizat këtë vit.
Që të ndodhë kjo Franca duhet të ndryshojë qëndrim, diçka që ambasadori gjerman s’e komenton duke thënë se qëndrimi i Gjermanisë është se kjo çështje është vonuar për Kosovën.
“Lidhur me këtë duhet t’i pyesni ata. Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë edhe gjatë vizitës së fundit të ministres dhe ministrit vitin e kaluar. Për ne kjo çështje është vonuar dhe ky është mendimi edhe i shumicës së vendeve të tjera. Mendoj se ai ka më shumë gjasa të vijë herët, sesa vonë. Dhe unë nuk jam vetëm ambasadori i fundit. Shpresoj se liberalizimi do të vijë këtë vit”.
Ambasadori gjerman ka folur edhe për marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Gjermanisë për të cilat thotë se po zhvillohen, derisa shton se vendi i tij është investitori më i madh në Kosovë.
Në ndërkohëë që ka ka një numër të madh të kosovarëve që duan të largohen nga Kosova për të jetuar dhe punuar në Gjermani a ekziston rreziku që ky vend ta tërheqë të gjithë fuqinë punëtore nga Kosova?
“Unë jam ambasador gjerman dhe me këtë më duhet të marr dy vendime të vështira. Gjermania është një vend i vjetër. Imigrimi është mirë për Gjermaninë, por jo aq mirë për Kosovën. Ju jeni vendi më i ri në Evropë. Mirëpo emigrimi dhe imigrimi gjithmonë janë çështje individuale. Ne jetojmë në një demokraci dhe çdo vit nga Gjermania emigrojnë 300.000 gjermanë që shkojnë në vende të ndryshme. Disa edhe kthehen”.
“Ne kemi projektprograme këtu përmes së cilave kthehen edhe kosovarët që kanë një kualifikim dhe ne i mbështesim ata që kthehen për të ndihmuar në ngritjen e vendit të tyre. Prandaj edhe përpiqemi që të përmirësojmë edhe kushtet: më shumë investime, më shumë siguri ligjore, arsim më të mirë profesional, arsim profesional dual. Edhe një herë: emigrimi është vendim individual. Edhe prindërit e mi kanë emigruar nga Gjermania në vitet ’50, sepse situata ekonomike në Gjermaninë e pasluftës nuk ka qenë aq e mirë, por më vonë janë kthyer dhe kjo mund të ndodhë gjithherë”.