Dy nga dëshmitarët okularë të aksidentit të autobusit i cili më pas u përfshi nga flakët në Bullgari kanë rrëfyer për atë që ndodhi në natën tragjike.
Valentin Georgiev nga Sandanski i cili punon si korrier ishte nisur të hënën në mbrëmje nga Sofja në Blagoevgrad.
“Fillimisht mendova se pylli po digjej. Flakët ishin të mëdha. Të mos gënjej, por mund të ishin 2-3 metra. Zjarri ishte i madh”, tha Georgiev.
Kur u afrua pa një autobus që po digjej. Ai është edhe dëshmitari i parë okular i tragjedisë. Policia dhe zjarrëfikësit mbërritën pas tij në vendin e ngjarjes.
“Kamioni im ishte rreth 100 metra larg. Unë isha i pari dhe pas 5-10 minutash erdhi një makinë e dytë, e tretë e katërt…U grumbulluan shumë kamionë. Kur dola nga kamioni dëgjova britma. Të mbijetuarit bërtisnin dhe qanin, fytyrat e tyre ishin të mbuluara me gjak”, tregon Valentin Georgiev.
Ai nxitoi për të ndihmuar. Gjëja e parë që pa ishte një burrë që përpiqej të shpëtonte të dashurën e tij.
“Ai bërtiste: Policia, policia. Ai e mbajti vajzën në krah dhe pastaj e lëshoi. Mendoj se ai kishte lënduar këmbën sepse çalonte dhe ai e lëshoi atë në rrugë. E Çova vajzën në fund të autostradës, mendoj se kishte thyer të dy këmbët. Ishte e zbathur, pa çorape. Vajza tjetër ishte e ftohtë, i dhash xhaketën që të ngrohej. I dhash edhe ujë”, shton ai.
Ndërkohë një baba po përpiqej të shpëtonte djalin e tij nga flakët.
“Po bërtiste se i biri ishte brenda. Ai tentoi të hynte në zjarr për të shpëtuar djalin e tij, por unë e ndalova”, thekson Georgiev.
Policia e zjarrëfiksit mbërritën 20 minuta më vonë. Pas tyre edhe ambulanca.
Emil Metodiev gjithashtu u përpoq të ndihmonte duke thirrur vazhdimisht 112. Ai ruante një kantier ndërtimi afër vendit të aksidentit. Ai gjithashtu ishte i pari që thirri ndihmën.
“Mendoj se goma e përparme ka shpërthyer. Disa sekonda pas shpërthimit u shfaqën flakët. Në momentin e ndaljes autobusi ishte duke u djegur. Jo vetëm përpara, mbrapa kudo. Kur mbërritën nga stacioni i zjarrëfikësve, dëmtimi i autobusit ishte i dukshëm. Ata që ishin në autobus, nuk mendoj se kishin mundësi të zbrisnin. Një gjë e tillë nuk harrohet”, tha ai.