Njësia speciale teknologjike ka 30 persona dhe është treguar jetike për mbrojtjen e Ukrainës, sidomos të kryeqendrës – Kiev.
Për shkak të mungesës së fondeve, njësia është e detyruar të financohet përmes “crowfunding”, mbledhje e fondeve kryesisht përmes internetit, shkruan “The Guardian” të hënën.
Në javën e parë të pushtimit të Ukrainës, rusët krijuan një kolonë prej 40 kilometrash të gjatë me mjete motorike në veri të Kievit, me shpresën për të marrë qytetin shpejt.
Megjithatë, kolona për ditë të tëra mbeti pa lëvizur. Falë një sërë pritash gjatë natës të kryera nga ekipi prej 30 anëtarëve të forcave speciale të Ukrainës që lëviz me motoçikleta me katër rrotë, e po ashtu falë operatorëve të dronëve të vegjël që mbajnë raketa deri në 1.5 kg.
Operatorët e dronëve erdhën nga njësia e mbikëqyrjes ajrore “Aerorozvidka”, e cila u themelua 8 vjet më parë nga një grup vullnetarësh, specialistë të teknologjisë informative dhe entuziastë të tjerë. Kjo njësi u bë element bazë në rezistencën e suksesshme të Ukrainës.
Ndryshe nga njësitë e tjera që merrnin ndihmë nga Perëndimi, kjo njësi duhej të mbështetej në mbledhjen e fondeve nëpërmjet financimit të shumtë të vullnetarëve dhe një rrjet lidhjesh personale për të siguruar pajisje si modemë dhe kamera termike.
Komandanti i njësisë, Yaroslav Honchar, tregoi se si njësia ngriti pritë pranë Ivankivit që ndihmoi në ndalimin e një ofensive të madhe ruse. Ai përshkroi sesi luftëtarët ukrainas iu afruan kolonës ruse gjatë natës.
Ushtarët ukrainas ishin të armatosur me syze për shikim natën, snajperë, mina me telekomandë, dronë me kamera termike dhe dronë të aftë për të hedhur bomba të vogla 1.5 kg. Lëvizja bëhej me motoçikleta me katër rrotë.
“Kjo njësi e vogël shkatërroi dy ose tri automjete në krye të kolonës gjatë natës dhe pasi kolona u ndalua, anëtarët e njësisë qëndruan për dy ose tri netë të tjera dhe shkatërruan shumë automjete”, tha Honchar.
Honchar thotë se rusët e ndanë kolonën në njësi më të vogla për të bërë përparim drejt Kievit, por i njëjti ekip i vogël shkatërroi magazinën me furnizime dhe kështu pengoi rusët drejt synimit që kishin.
Njësia pretendon se ka ndihmuar në zmbrapsjen e një sulmi rus në aeroportin Hostomel, në veriperëndim të Kievit në ditët e para të luftës. Sipas pretendimeve, me ndihmën e dronëve ka lokalizuar 200 parashutistë rusë dhe i ka sulmuar, transmeton “The Guardian”.
Pretendimet nuk u konfirmuan nga burime të pavarura, por zyrtarët amerikanë thonë se sulmet ukrainase pranë Ivankivit luajtën rol në mbajtjen e kolonës ruse të bllokuar.
Njësitë u themeluan nga ukrainas të rinj me arsim universitar, të cilët ishin pjesë e protestave të vitit 2014 dhe dolën vullnetarë për të përdorur njohuritë e tyre për të ndihmuar në rezistencën ndaj pushtimit rus të Krimesë dhe Donbasit. Themeluesi i saj Volodymyr Kochetkov-Sukach, një bankier investimesh, u vra në vitin 2015 gjatë një operacioni në Donbas.
Njësia u shpërbë në vitin 2019, por u ribashkua shpejt në tetor 2021, kur u shfaq rreziku i një pushtimi rus.