Me 82 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstenim në natën e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës është votuar mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.
Albin Kurti drejtoi ekzekutivin e vendit për vetëm 51 ditë, duke qenë kjo Qeveria më jetëshkurtër ndonjëherë në Kosovë.
Mocionin për rrëzimin e Kurtit e nisi Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën Lëvizja Vetëvendosje ishte në koalicion qeverisës.
LDK’ja e prishi koalicionin pasi Kurti shkarkoi pa paralajmërim ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu.
Rrezikimi i raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që sipas LDK’së, e shkaktoi Kryeministri Kurti, ishte një nga arsyet për mocionin.
VV’ja e Kurtit i fitoi zgjedhjet e 6 tetorit 2019 me 26.2 për qind të votave, ndërsa pas saj doli LDK’ja me 24.5 për qind.
Dy subjektet nuk arritën marrëveshje për koalicion parazgjedhor, e më pas zhvilluan 4 muaj negociata, për ta formuar Qeverinë më 3 shkurt 2020.