Ministria e Shëndetësisë, në raportimin e saj të përditshëm, bën me dije se në 24 orët e fundit janë regjistruar 17 raste të reja me Covid-19, duke e çuar në 433 numrin e përgjithshëm të personave të infektuar me koronavirusin e ri në vendin tonë, 23 prej të cilëve kanë humbur jetën.
Sipas zv/ministres së Shëndetësisë, Mira Rakacolli në 24 orët e fundit janë testuar 259 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 17 raste të reja me COVID-19. Gjithashtu janë shëruar nga sëmundja 15 pacientë të tjerë, duke e çuar numrin e të shëruarve nga koronavirusi në 197.
Në shërbimin infektiv aktualisht ndodhen të shtruar 53 persona të infektuar, 6 prej të cilëve janë në terapi intensive, ndërsa 2 mbahen të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 60 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 10 raste, Shkodër 3 raste, Pukë 1 rast, Lushnje 1 rast, Krujë 1 rast dhe Durrës 1 rast.
Zv/ministrja Rakacolli i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social duke qenë se dhe rastet e reja me koronavirus në vendin tonë ishin raste kontakti.