Rritja e madhe e çmimit të energjisë elektrike dhe gazit zhgënjen turqit për vitin e ri

Në ditën e parë të vitit 2022, turqit u tronditën nga rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe gazit, ndaj shprehën pakënaqësinë e tyre në rrjetet sociale.

Lajmi për rritjen e energjisë, gazit, tarifave dhe sigurimit të makinave erdhi pak para mesnatës.

Energjia elektrike për familjarët do të rritet me 50 për qind në vitin 2022, ndërsa për industrinë deri në 125 për qind, njoftoi Agjencia Rregullatore e Tregut të Energjisë, duke shpjeguar se çmimet e energjisë në tregun botëror janë rritur.

Çmimi i gazit natyror u rrit me 25 për qind për familjet dhe 50 për qind për industrinë, tha distributori kombëtar BOTAS.

Fuqia blerëse e konsumatorëve turq është në rënie për shkak të inflacionit që u rrit me më shumë se 21 për qind dhe rënies së vlerës së lirës turke pas një sërë uljesh të normave të interesit.

Në Stamboll, çmimet me pakicë u rritën me pothuajse 35% në dhjetor nga një vit më parë, më së shumti në vitet e fundit, sipas Dhomës së Tregtisë së Stambollit.

Rritjet e reja do të rrisin më tej inflacionin. Lira turke është dobësuar me gati 45% kundrejt dollarit amerikan brenda një viti.

“Erdogan … ju po i detyroni njerëzit të gëlltisin rritje të mëdha çmimesh në fillim të vitit të ri,” komentoi kryetari i partisë kryesore opozitare CHP, Kemal Kilicdaroglu.

Durmus Yilmaz, një ish-guvernator i bankës qendrore, shkroi në Twitter se qeveria e dënoi popullin turk me “varfëri të thellë” dhe paralajmëroi për “probleme të mëdha sociale”.