Rusët filluan ndërtimin e ‘Linjës Wagner’; Kievi: “Okupatorët po vjedhin makinat e civilëve, duke ikur nga Khersoni”

Strukturat mbrojtëse të bëra nga blloqe piramidale betoni po ngrihen në rajonin rus të Belgorodit, tha guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov .

Grupi famëkeq Wagner, i kryesuar nga “kuzhinieri i Putinit” Yevgeny Prigozhin , po vendos blloqe të ngjashme betoni në rajonin e Luganskut të aneksuar ilegalisht, duke krijuar një linjë mbrojtëse kundër ushtrisë, automjeteve dhe tankeve ukrainase. E quajnë “linja e Wagnerit” ose “linja e Prigozhinit”, transmeton portali i pavarur rus Meduza.

Më 19 tetor, Prigozhin tha se përfaqësuesi i tij, Andrei Bogatov , po ndërtonte “struktura mbrojtëse” në rajonin e Belgorodit. Prigozhin njoftoi gjithashtu formimin e një “milicie popullore” në rajon. Nga ana tjetër, Bogatov ka saktësuar se milicia do të përbëhet nga vullnetarë.

imazh

Ushtria ukrainase po merr raporte në rritje për plaçkitje në qytetin Kherson të kontrolluar nga Rusia, të cilin kundërofensiva e Ukrainës po e synon, thanë zyrtarët në një deklaratë të shtunën.

“Numri i rasteve të grabitjeve dhe aktiviteteve të paligjshme në Kherson është rritur”, tha në një deklaratë Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës. “Okupatorët po marrin makinat e popullatës lokale dhe po përpiqen të largohen nga qyteti duke përdorur kalimin e trageteve pranë urës Antonivski”, raporton CNN.

Më herët të shtunën, administrata lokale e instaluar nga Moska u tha civilëve që të evakuoheshin në bregun lindor të lumit Dnieper. Një kundërofensivë ukrainase po afrohet, megjithëse qeveria në Kiev hedh poshtë pretendimet ruse për rrezik për qytetarët si “histeri” të pabaza.

CNN nuk mundi të konfirmonte në mënyrë të pavarur pretendimet e ushtrisë për kriminalitet në Kherson.