Kreu i forcave të armatosura britanike beson se Rusia tashmë “e ka humbur strategjikisht luftën në Ukrainë” dhe se fuqia e saj tani është dobësuar.
Admirali Tony Radakin thotë se Rusia po pëson humbje të mëdha, se po i mbarojnë trupat dhe raketat dhe se nuk do të mund të pushtojë kurrë të gjithë Ukrainën.
“Ky është një gabim i tmerrshëm i Rusisë. Rusia kurrë nuk do të marrë kontrollin e Ukrainës”, tha Radakin për PA Media, raporton Guardian .
Admirali beson se presidenti rus Vladimir Putin humbi 25 për qind të fuqisë tokësore të Rusisë vetëm për shkak të disa “fitoreve të vogla” dhe se fuqia e tij po dobësohet ndërsa NATO forcohet.
“Strategjikisht, Rusia tashmë ka humbur. NATO është më e fortë, Finlanda dhe Suedia duan t’i bashkohen Aleancës”, thotë ai.
Radakin thotë se ndërsa Putini mund të arrijë “suksese taktike” në javët e ardhshme, kjo do të jetë me koston e një të katërtës së fuqisë ushtarake të Rusisë, të gjitha për hir të fitoreve të vogla. Ai thekson se Rusia ka mbetur pa trupa dhe raketa precize.
“Makina ushtarake ruse po perparon ngadal dhe merr vetëm disa – dy, tre, pesë kilometra çdo ditë. Dhe Rusia ka pika të dobëta sepse po i mbarojnë njerëzit, po i mbarojnë raketat. Putin përdori rreth 25 për qind të forcës ushtarake për të pushtuar një pjesë të vogël të territorit dhe 50,000 ushtar rusë kanë vdekur dhe janë plagosur. Rusia po bie”, tha admirali.
Pretendimet e Radakinit pasqyrojnë raporte nga shërbimi i inteligjencës britanike dhe raporti i fundit thotë se disa grupe taktike të batalioneve ruse, të cilat zakonisht formohen nga rreth 600 deri në 800 anëtarë, mund të rekrutojnë vetëm 30 ushtarë.
Edhe pse Rusia po bën përparim në rajonin e Donbasit, ky sukses ka ardhur me një kosto të konsiderueshme për sa i përket burimeve dhe përqendrimit të fuqisë dhe armëve në një zonë.
“Në lidhje me planin strategjik të Rusisë, asnjë nga qëllimet strategjike nuk është arritur. Në mënyrë që Rusia të arrijë çdo formë suksesi, do të duhet një investim i vazhdueshëm i madh në fuqi punëtore dhe pajisje, dhe ndoshta do të duhet një kohë e gjatë”, thuhet në raport.