Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e ka listuar Kosovën të nëntën në Evropë, për numrin e “mercenarëve” që i janë bashkëngjitur ushtrisë ukrainase, dhe ka thënë se 69 prej tyre i ka vrarë. Qeveria i ka hedhur poshtë pretendimet dhe i ka konsideruar pjesë të propagandës ruse kundër Kosovës. Edhe njohës të mediave shifrat i kanë kualifikuar si dezinformata që Moska zyrtare i përdor për t’i paraqitur shqiptarët e Kosovës si faktor dhune dhe destabilizimi në Ballkanin Perëndimor
Paralelisht luftimit të Ukrainë, Rusia ka nisur një luftë propaganduese ndaj shteteve që i kanë vënë sanksione. Ajo e ka listuar Kosovën të nëntën në Evropë, për numrin e “mercenarëve” që i janë bashkëngjitur ushtrisë ukrainase, në rezistencë ndaj agresionit rus.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar pretendimin se 69 “mercenarë” nga Kosova dhe 51 nga Shqipëria kanë humbur jetën në Ukrainë. Shifrat figurojnë në përditësimin e fundit që ua ka bërë të dhënave mbi luftëtarët nga vende të tjera që u janë bashkuar ushtarëve në Ukrainë. Në to ka përfshirë pretendimet mbi vrasjet, ani se deri tash nuk është raportuar për ndonjë shtetas të Kosovës që i është bashkëngjitur ushtrisë ukrainase dhe as për ndonjë që është vrarë.
Qeveria e Kosovës i ka demantuar të dhënat.
“Nuk ka qytetarë të Republikës së Kosovës që luftojnë në Ukrainë. Edhe më herët i kemi hedhur poshtë pretendimet e tilla të pabaza, të cilat i konsiderojmë pjesë të propagandës ruse kundër Republikës sonë demokratike, në një përpjekje për të arsyetuar një akt të pajustifikueshëm agresioni kundër popullit të Ukrainës”, i ka thënë KOHËS Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë. “Kosova ishte ndër vendet e para në Ballkanin Perëndimor që u bashkua me demokracitë perëndimore dhe kombet paqedashëse kundër agresionit të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës”.
Ai ka rikujtuar se Kosova u është bashkuar BE-së, ShBA-së dhe Britanisë së Madhe me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe ka shprehur solidaritetin me Ukrainën duke shprehur gatishmëri për të ndihmuar 20 gazetarë dhe për të pranuar deri në 5,000 refugjatë ukrainas. Kryeziu ka thënë se Qeveria është duke financuar programin “Gazetarët në Rezidencë” dhe ka treguar se aktualisht gjashtë gazetarë ukrainas tashmë janë banorë të Prishtinës.
Njohës të mediave e kanë parë të rëndësishme që autoritetet e Kosovës të reagojnë ndaj propagandës së këtillë të Moskës zyrtare.
Dren Gërguri, profesor në Degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se institucionet do të duhej me shpejtësi të demantojnë këto dezinformata, në kanale të ndryshme komunikimi, sidomos nëpërmjet mediave sociale. Gjithashtu, ka thënë se ato duhet të angazhohen që t’u paraprijnë këtyre narrativave të dëmshme për Kosovën, duke dalë shpesh me qëndrime rreth zhvillimeve në Ukrainë për të mos lejuar ose së paku minimizuar terrenin për dezinformata.
Gërguri ka theksuar se ky nuk përbën rastin e parë të propagandës ruse.
“Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Rusia ka prodhuar propaganda të ndryshme, në disa raste duke sulmuar edhe Kosovën. Në mesin e narrativave të rreme është edhe kjo për gjoja përfshirjen e shqiptarëve të Kosovës në luftën në Ukrainë. Këto dezinformata përdoren nga rusët për të krijuar idenë që Kosova është e përfshirë në këtë luftë dhe është krahas ukrainasve, atyre që kinse po sulmojnë rusët sipas propagandës së Kremlinit”, ka thënë Gërguri. “Kjo propagandë është në një linjë me ato të mëhershmet që paraqesin shqiptarët e Kosovës si faktor dhune dhe destabilizimi në Ballkanin Perëndimor”
Qeveria ruse, e cila shihet prej përhapëseve më të mëdha të lajmeve të rreme, qysh në nisje të pushtimit ushtarak të Ukrainës, ka deklaruar se ka pasur luftëtarë edhe nga Kosova e edhe nga Shqipëria që u janë bashkuar ushtarëve ukrainas.
Statistikat e publikuara së fundmi të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, thonë se, në total, që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022, i janë bashkuar luftës 156 mercenarë nga Kosova, duke e ranguar si të nëntën nga shtetet e Evropës, për kah numri i shtetasve që i janë bashkuar frontit ukrainas kundër pushtimit rus. Sipas Moskës zyrtare, përpos që 69 mercenarë kosovarë kanë humbur jetën, 62 të tjerë janë deportuar.
Të dhënat e publikuara nga kjo Ministri thonë se 150 luftëtarë nga Shqipëria i janë bashkëngjitur ushtrisë ukrainase, nga të cilët 51 kanë humbur jetën ndërsa 45 janë deportuar.
Sipas këtyre shifrave, Polonia ka pasur më shumë luftëtarë që i janë vënë në ndihmë Ukrainës – rreth 1,835, ndërsa theksohet se në total ushtrisë ukrainase i janë bashkëngjitur mbi 7,000 luftëtarë.