Rusia lëshon dronë kamikazë iranianë mbi Kiev

Sulme të reja ajrore kanë shënjestruar kryeqytetin ukrainas, Kiev dhe rajonin jugor Dnjipropetrovsk, në orët e hershme të së hënës, duke lënë të vdekur të paktën tre persona, kanë thënë zyrtarët ukrainas.


Kryetari i qytetit të Kievit, Vitalii Klitschko, ka thënë se janë dëmtuar ndërtesat e banimit në zonën Shevçenkivsky.

Sipas tij, 18 persona janë shpëtuar nga një ndërtesë banimi që është goditur nga sulmet, mirëpo ende ka njerëz që janë nën rrënoja.

Andriy Yermak, shefi i Zyrës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se sulmet janë kryer me të ashtuquajturit dronë kamikazë.

“Rusët mendojnë se do t’iu ndihmojnë atyre”, ka thënë ai përmes një postimi në Telegram.

Presidenti Zelensky ka thënë se sulmet nuk do të “thyejnë” ukrainasit.

“Gjithë natën dhe gjithë mëngjesin, armiku terrorizon popullatën civile. Dronët kamikazë dhe raketat janë duke sulmuar gjithë Ukrainën. Armiku mund të sulmojë qytetet tona, mirëpo nuk do të mund të na thyejë neve”, ka thënë ai.

Tre persona janë vrarë në Kiev, si pasojë e sulmeve me dronë, ka thënë Kyrylo Tymoshenko, zëvendësudhëheqës i Zyrës së presidentit të Ukrainës.

Klitschko ka thënë se 28 dronë kanë sulmuar Kievin në mëngjes, mirëpo shumica prej tyre janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore ukrainase.

Ushtria ukrainase ka thënë se në total ka shkatërruar 37 prej 43 dronëve të lëshuar nga ushtria ruse.

Rusia është duke përdorur më shpesh dronë të tillë vetëvrasës për të shënjestruar qendrat urbane dhe infrastrukturën, përfshirë stacionet e energjisë.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë më 17 tetor se ka kryer sulm “masiv” në shënjestrat ushtarake dhe infrastrukturën e energjisë në gjithë Ukrainën, duke përdorur armë “me precizitet të lartë”.

Ministria ka thënë në njoftimin e saj ditor se ka goditur “të gjitha shënjestrat” në Ukrainë dhe ka penguar përpjekjet e Ukrainës për të thyer mbrojtjen e saj në rajonin e Hersonit.

Këto sulme raportohen një javë pasi kryeqyteti ukrainas është goditur me një mori raketash ruse, duke lënë të vdekur të paktën 19 persona.

Shpërthimet e së hënës janë regjistruar rreth orës 07:00, sipas kohës locale.

Klitschko u ka bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë nëpër streha të sigurta.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se sulmet e javës së kaluar kanë qenë hakmarrje për bombardimin e Urës së Krimesë – e vetmja që lidh Rusinë me Gadishullin e Krimesë.

Putin e ka akuzuar Ukrainën për këtë sulm, mirëpo Kievi nuk e ka marrë përgjegjësinë.

Moska e ka aneksuar Krimenë më 2014.