Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë (RSE) zëvendës redaktori i Qendrës “Karnegi” në Moskë Maksim Samorukov ka thënë se “Rusia ka interesin e saj që çështja e Kosovës mos të zgjidhet pasi pastaj ajo nuk do të jetë tërheqëse për Serbinë”.
Sipas konstatimit të tij, kur bëhet fjalë për ambiciet e Rusisë për kyçjen në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, “Është në interesin e Rusisë që kjo çështje mos të zgjidhet, ndërsa deklaratat e zyrtarëve rus për arritjen e zgjidhjes përfundimtare mund të kuptohen si të dyshimta”.
“Rusia, sikurse edhe në konfliktet tjera në Ballkanin perëndimor, nuk dëshiron që konflikti mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet. Mbështetja e Rusisë në këtë moment është kyçe për Serbinë, para së gjithave për shkak situatës në Kosovë. Serbisë i duhet Rusia në nivelin ndërkombëtar dhe fuqisë së saj në OKB, me qëllim që të pamundësoj pranimin plotë të Kosovës. Me të zgjidhur të kësaj çështje, Rusia nuk do jetë më tërheqëse për Serbinë. Por, deri tani kemi parë aq shumë probleme edhe pengesa në rrugën e zgjidhjes së kësaj çështje, kështu që Rusia edhe nuk po detyrohet të bëjë shumë që kjo të pengohet”, ka thënë ai.
Samorukov ka sqaruar se në atë kuptim edhe deklarata që vijnë nga zyrtarët rus janë dykuptimëshe. Nga njëra anë , Rusia shprehet se është e gatshme të mbështes zgjidhjen që është e pranueshme për Serbinë, ndërsa nga ana tjetër thotë se ajo duhet të bazohet në rezolutën 1244 të OKB-së që pamundëson pavarësinë e Kosovës. Pikërisht në këtë mendim dykuptimëshe, Rusia dëshiron që të i tregoj Serbisë se Kremlini në të vërtetë nuk miraton që Serbia të pranoj Kosovën.
“Por nuk do të them se Rusia është pengesa kryesore e zgjidhjes së këtij konflikti. Ka shumë pengesa në nivelin lokal dhe ka rrugë të gjatë deri në zgjidhjen përfundimtare, kështu që Rusia mund të pushoj sepse zgjidhja nuk është në prag “, ka thënë Samorukov.
Ai ka thënë se Ballkani perëndimor nuk është prioritet për Rusinë dhe ajo nuk është e gatshme që në regjion të investoj shumë para apo përpjekje, por nuk dëshiron që as Ballkani të shkoj në Perëndim.
“Situata dhe rrethanat gjeo-politike në të cilën ndodhet Ballkani është ideale për Rusinë. Kjo nënkupton se ajo nuk do as stabilitetin e as destabilitetin e plotë, por diçka në mes. Rusia nuk dëshiron që konflikti i ngrirë në Ballkan të zgjidhet, sepse pikërisht konflikti i ngrirë e mban Ballkanin Perëndimor larg NATO-së dhe BE-së, por po ashtu Rusia nuk dëshiron që ato konflikte të bëhen aktive, sepse ajo ka vijën e kuqe” ka thënë Samorukov.