Rusia sulmon Albright edhe pas vdekjes

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova komentoi vdekjen e Madeleine Albright, duke hedhur akuza mbi ish-sekretaren amerikane të shtetit. 

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Ruse e ka cilësuar Albright si ideologe të bombardimit të Beogradit, duke shtruar edhe pyetjen se pse “Albright nuk ishte sanksionuar asnjëherë”.

“Madeleine Albright, sekretare e shtetit, ideologe e bombardimit të Beogradit. Ajo vdiq dje, në prag të përvjetorit të arritjeve të saj ballkanike”, shkruan Zaharova në postim në rrjetin Telegram, transmeton Reporteri.net.

“Me çka ishte sanksionuar Maeleine Albright? Asgjë. Një monument për vrasjen e serbëve është ngritur në Kosovë. Në ceremoninë hapëse ishte edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, komandant i të ashtuquajturës Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që kishte tregtuar organe të serbëve të vrarë prej amerikanëve”, ka thënë Zakharova.

Albright që u shua dje njihej si mike e madhe e Kosovës e cila gjatë luftës kishte bërë shumë për popullin e vendit tonë.

Megjithatë, përkrahja e saj nuk ndaloi me kaq, por ajo vazhdoi edhe pas luftës. Albright në vizitën e saj në Kosovë, tha Kosovën dhe qytetarët e saj i ka gjithmonë në mendje pavarësisht që siç ka theksuar ajo, i ndan oqeani.