Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.
Projektiligji është dorëzuar në Kuvend më datë 9 mars.
Haxhiu ka kërkuar që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja e mjeteve nga Trusti deri në 30 për qind.
Por, që nga ajo kohë ende nuk ka një qëndrim nga Qeveria e Kosovës e as nga grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.
Kjo nismë duhet të kaloj në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, kryetar i së cilit është deputeti nga Vetëvendosje, Armend Muja.
Ditë më parë Muja është shprehur kundër kësaj nisme duke thënën se kjo nismë nuk do të përkrahet nga Vetëvendosje.
“Qëndrimi i VV-së edhe në të kaluarën edhe tash është i njëjtë që kjo praktikë nuk duhet të lejohet. Çdo mungesë e likuiditeti është trajtuar nga qeveria Kurti përmes shtimit të plus 200 milionë eurove transfereve sociale dhe subvencioneve. Nëse ka nevojë ajo do të adresohet në të ardhmen edhe përmes shtesave të tjera, por jo duke ngritur pritje për tërheqjen nga Trustit Pensional”, kishte deklaruar Muja në muajin shkurt.
Njoftimi i plotë:
Me kërkesë të shumë qytetarëve ri-propozoj: Tërheqjen e mjeteve financiare për qytetarët nga Trusti Pensional deri në 30%.
Pas shtrenjtimit të rrymës dhe të gjitha produkteve të konsumit ditor është mëse e nevojshme që Qeveria ta sjell në votim propozimin tim për tërheqjen e Trustit Pensional deri në 30%.
Propozim-amandamenti im do të ndikojë në rimëkëmbje ekonomike dhe mbështetje për qytetarët :
Personat që kanë kursime pensionale në shumën më pak se 10.000 Euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri në tridhjetë përqind (30%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.
Personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 10.000 Euro deri në 19. 999 Euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri në njëzetepesë për qind (25%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.
Personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 20.000 Euro deri në 29. 999 Euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri nënjëzetë përqind (20 %) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.
Personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 30.000 Euro deri në 39. 999 Euro, kanë drejtë t’i tërheqin deri në pesëmbdhjetë përqind (15%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.
Personat qe kanë kursime pensionale me shumë se 40.000 Euro (dyzet mijë), kanë drejtë t’i tërheqin deri në dhjetë përqind (10%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.
Me këtë propozim qytetarët që kanë të ardhura më të ulta do të mbështeten me shumë, ata që kanë me pak mjete në Trust t’u lejohet të tërheqin me shumë mjete me qëllim që ta përballojnë më lehtë situatën aktuale për shkak të krizës ekonomike dhe rritjes enorme të çmimeve në të gjithë sektorët pa dallim.