Sapo ka bërë betimin si deputet, prokuroria kërkon heqjen e imunitetit të Kurz

Mësohet se ish-kancelari Sebastian Kurz sapo ka bërë betimin si deputet dhe Zyra e Prokurorit për Krimin Ekonomik dhe Korrupsionin tashmë po i kërkon Parlamentit heqjen e imunitetit parlamentar, përcjell albinfo.at.

Në raport thuhet se prokuroria dërgoi një kërkesë për heqjen e imunitetit parlamentar, në mënyrë që hetimi kundër ish-kancelarit austriak të vazhdojë për shkak të akuzave që lidhen me përvetësim dhe ryshfet.

Ndërkohë, ekipi parlamentar i OVP-së, shefi i së cilës tani është Kurz, tha se ata jo vetëm që do ta mbështesin atë kërkesë, por se ishin të lumtur që u dërgua kaq herët.

“Kjo do të mundësojë që të gjitha akuzat kundër Kurz të hiqen shpejt”, thotë klubi parlamentar.

Miratimi për vazhdimin e hetimit me siguri do të jepet në një nga seancat plenare të radhës të Parlamentit, pasi Kurz nuk ishte deputet në atë kohë kur u akuzua për vepra penale dhe ato vepra nuk lidhen me aktivitetet parlamentare.