Sekuestrohen 59 mijë euro të padeklaruara në Morinë, procedohet 45-vjeçari

Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë kanë sekuestruar 59 mijë e 100 euro të padeklaruara dhe kanë proceduar penalisht një shtetas.

Sipas autoriteteve, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin S. H.

Gjatë kontrollit të ushtruar, në çantën e dorës së shtetasit S. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 59 mijë 100 euro, të padeklaruara nga 45-vjeçari, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Kukës referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. H., 45 vjeç, banues në Istog, Kosovë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.