Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç, deklaroi se sulmet që pasuan pas nënshkrimin e planit të konsultimit mes Rusisë dhe Serbisë, përfaqësojnë “një përpjekje për të disiplinuar Serbinë dhe qëndrimin tonë parimor të politikës së jashtme”, derisa ka theksuar se “do ishte fatëkeqësi nëse Rusia largohet nga OKB-ja”.
“Ndokush ndoshta e ka këtë ide në kokë. Për ne është thelbësore që Rusia të jetë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila mbron interesat tona në lidhje me Kosovën”, shtoi Selakoviç, duke thënë se shpreson dhe beson se kjo nuk do të ndodhë.
“Ky nënshkrim nuk ka të bëjë me ndonjë komplot politik apo qëllim të keq. Nuk ka asnjë vlefshmëri ligjore dhe ne po e nënshkruajmë të njëjtën gjë me shumë vende të botës”, tha Selakoviç për TV Happy.
Ai ka thënë se Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë sepse ajo e ka qasjen e saj racionale.