“Serbët kundër serbëve”/ “Alarm” në veri të Kosovës, anulohen pushimet me arsyetimin e situatës së “paqëndrueshme politike”

Punonjësit e shëndetësisë në njërën nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, janë paralajmëruar këtë javë se nuk mund t’i shfrytëzojnë pushimet e tyre vjetore në periudhën e ardhshme, me arsyetimin e situatës së “paqëndrueshme politike”.

I njëjti paralajmërim verbal është dhënë për institucionet tjera në këtë pjesë të Kosovës, të cilat i financon Serbia. “Të gjithë jemi të çuditur”, tha një mjek për Radios Evropa e Lirë.

“Njerëzit kanë paguar mijëra euro për aranzhimet verore”, shton ai. Personi insistoi që të mbetej anonim për shkak të frikës se mund ta humbte vendin e punës. “Në takimin e shefave të reparteve me kryeinfermieret u tha fjalë për fjalë, se pushimet vjetore janë rreptësisht të ndaluara. Në rast se ndonjëri prej shefave të reparteve ia miraton punonjësit të tij (pushimet), ai do të zëvendësohet menjëherë”, thotë një tjetër bashkëbisedues i REL-it, po ashtu nga fusha e shëndetësisë.

Zemërimin nuk e fshehin as punëtorët në sektorë të tjerë, sikurse në arsim, të cilët kërkuan të mos identifikohen. “Drejtori na tha dje se nuk ka pushim deri në një njoftim të dytë dhe se jemi të detyruar të paraqitemi në punë, pa shpjegime. Siç thuhet, ky është urdhër i Ministrisë së Arsimit (të Serbisë). Jemi të pafuqishëm, na është përzier frika, zemërimi dhe hidhërimi”, tha një punonjës nga sistemi i arsimit. Kjo po ndodh pasi Qeveria e Kosovës, më 29 qershor i vendosi Serbisë masat reciproke lidhur me dokumentet personale, si dhe vendimin për riregjistrimin e veturave me tabelat e qyteteve në Kosovë të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, në tabela RKS (Republika e Kosovës).

Ato targa që përdoreshin kryesisht në veri të Kosovës, Prishtina zyrtare i konsideronte të paligjshme për vite me radhë, por nuk ka reaguar, siç po reagon kësaj radhe. Një numër i madh i serbëve në Kosovë janë të punësuar në institucionet serbe, dhe varen nga pagat që ua siguron Beogradi.