Fshati Vinarc gjendet në veri të lumit Ibër, por administrativisht ai është brenda Komunës së Mitrovicës Jugore. Në të jetojnë shqiptarë, mirëpo nëpër rrugën e këtij fshati kalojnë mjaft shumë serbë.
E banorët e këtij fshati vërejtën para disa ditësh lëvizje të dyshimta, për çka kishin njoftuar edhe Policinë.
Siç mëson gazeta, një serb dyshohet se ka djegur flamurin e Kosovës dhe Shqipërisë që gjendej në varrezat e fshatit Vinarc.
Një banore e këtij fshati ka lajmëruar Policinë, të cilët kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë parë flamujt e djegur. Pas kësaj, ankuesja është dërguar në stacionin e Policisë në veri për deklaratë.
Deri tani dihet se rasti po cilësohet si nxitje e jotolerancës dhe po vazhdon kërkimi për personin e dyshuar.