Në Mitrovicën e veriut nesër në ora 15:00 do të mbahet takimi i madh i “të gjitha grave dhe të gjitha nënave” serbe që jetojnë në Kosovë, është bërë e ditur në konferencën e jashtëzakonshme për media të sapopërfunduar të Listës Serbe. Protesta është paralajmëruar edhe në të gjitha institucionet.
Në konferencë për media ka folur Gordana Saviq, ish-këshilltarja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, njëherit kryeinfermiere e KBC-së së Mitrovicës.
Saviq ka bërë të ditur se nesër në ora 15:00 në Mitrovicë do të mbahet një tubim i madh i grave, në të cilin do të dërgohet mesazh paqeje.
Njëkohësisht ajo ftoi të gjithë bashkëqytetarët, nënat, motrat, vajzat që të mblidhen nesër në një miting në qendër të qytetit.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një konferencë për media në Mitrovicë tha se Prishtina, përkatësisht Albin Kurti, është e vetmja përgjegjëse për dështimin e negociatave në Bruksel. Ai ka paralajmëruar protesta në të gjitha institucionet, pa specifikuar se kur do të nisin.
Deri sot në mëngjes kemi pasur një takim me presidentin Aleksandar Vuçiq. Në atë takim ishin të pranishëm ministrat, kryeministri dhe drejtori i zyrës për Kosovë. Ndoshta ishim të lodhur, por kur pamë shqetësimin e presidentit Vuçiq dhe përkushtimin e tij për zgjidhjen e kësaj krize të shkaktuar nga Prishtina, asgjë nuk ishte e vështirë për ne. Asnjë marrëveshje nuk është arritur në Bruksel dhe Prishtina është shprehimisht përgjegjëse për këtë”, ka thënë Rakiq, cituar nga N1.