Ish-diplomati amerikan dhe njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, ka duartrokitur planin e kryeministrit, Avdullah Hoti, sa i përket procesit të dialogut me Serbinë.
Serwer ka thënë se fillimisht ka qenë skeptik për fuqinë e Qeverisë Hoti për të drejtuar proceset, për shkak të brishtësisë sa u përket numrave në Kuvend, por thotë se është i gatshëm të mirëpres atë çfarë Hoti ka deklaruar.
Profesori amerikan në reagimin e tij ka përmendur principet e prezantuara nga Hoti se në tryezën me Serbinë, ku thuhet se parimi i integritetit territorial të Republikës së Kosovës nuk do të jetë në tavolinë, gjithashtu nuk do të diskutohet për organizimin shtetëror dhe kushtetues të vendit.
Serwer ka përfshirë edhe parimet ku thuhet se marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se një marrëveshje që nuk ka rezultat final njohjen reciproke është non-sens.
Eksperti amerikan gjithashtu ka komentuar edhe rreth asaj se kush do të drejtojë procesin e negociatave me Serbinë.
Serwer thotë se Hoti e ka bërë të qartë që do ta drejtojë dialogun, duke e qartësuar se një gjë të tillë ia obligon Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe një kompetencë të tillë s’mund t’ia delegojë presidentit.
“Kryeministri paraprak është përplasur me presidentin Thaçi për atë se kush do të drejtojë dialogun, kështu që një qartësim i tillë është i mirëseardhur, nëse Thaçi pajtohet”, ka thënë Serwer.
Tutje eksperti amerikan ka shtruar dy pyetje se kur Thaçi do të tërhiqet vërtetë nga negocimi i gjatë me Vuçiqin, që sipas tij ka qenë edhe një negocim joproduktiv që nga 2013 dhe nëse një marrëveshje sipas parimeve të Hotit do të jetë e mundur.
Serwer thotë se një gjë e tillë mund të shihet nëse do të funksionojë vetëm atëherë kur të jetë provuar, megjithatë thotë se përpjekja e Avdullah Hotit për të përfshirë në proces edhe partitë opozitare dhe shoqërinë civile është inkurajuese.
Profesori amerikan thotë se Hotit i duhet një përkrahje nga më shumë se 20 deputetë të tjerë për të arritur shumicën e 2/3-ave, dhe gjithashtu thotë se do t’i duhet një mbështetje e ngjashme edhe në popull.
Derisa Serwer thotë se aktualisht qëndrimet e Vuçiqit nuk japin shumë shpresë, duke përmendur deklarimet e tij të fundit në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, ku kreu i shtetit serb thotë se njohja e Kosovës nuk mund të ndodhë vetëm pse një gjë e tillë është dëshirë e Kosovës.
Por eksperti amerikan thotë se deklarata të tilla të Vuçiq duhet kuptuar në kontekstin e situatës aktuale në të cilën gjendet Serbia, pra në prag të zgjedhjeve parlamentare të cilat do të mbahen me 21 qershor.
Serwer thotë se një prej pengesave më serioze drejt arritjes së një marrëveshje është lufta mes SHBA’së dhe BE’së rreth asaj se kush do të drejtojë dialogun.
Për profesorin amerikan, zgjidhja do të jetë që Washingtoni dhe Brukseli të bashkërendojnë veprimet.
Serwer gjithashtu thekson faktin se Richard Grenell është një kritik i madh i BE’së dhe në veçanti i Gjermanisë dhe gjithashtu thotë se zgjedhja që ka bërë Brukseli duke emëruar si drejtues të procesit të dialogut dy negociatorë që vijnë nga shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Serwer thotë se një kombinim i tillë nuk duket që mund të funksionojë, por thotë se mbase shpresat e Trump për një ceremoni në Kopshtin e Trëndafilave para zgjedhjeve në SHBA do të krijojë nxitim.